Sipas Fevziut, pyetjet ishin hequr nga transmetimi pasi ishin bërë gjatë nëntorit të vitit të kaluar dhe nuk kishin relevancë tani. Por pas presionit të publikut, ai i ka publikuar të dyja përgjigjet e Thaçit.
I pyetur nëse opozita duhej të bashkohej për të formuar qeverinë, Thaçi u përgjigj shkurt: “Nuk kam koment”.
Thaçi tha se Kosova ka nevojë për një konsensus sa më të gjerë politik.
“Do të duhej të ndodhte një konsensus sa më i gjerë politik. Shoqëria jonë ka plot gra dhe burra të çmuar me dinjitet dhe integritet… Mendoj që ka ardhur koha që zgjedhja e presidentit të bëhet drejtpërdrejt nga qytetarët, përndryshe vazhdimisht do të ketë kriza qeveritare”, deklaroi ai.
“Kërkohen ndryshime kushtetuese, patjetër duhet të pajtohen edhe komunitetet. Kosova dhe Shqipëria janë vendet e fundit në rajon që presidentin e zgjedhin nga parlamenti”, u shpreh ai.