Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në rastin penal PS.nr.48/25, që lidhet me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj 21 personave të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile.
Sipas njoftimit zyrtar, aktakuza është ngritur më 15 gusht 2025 dhe përfshin të pandehurit: Zlatomir Pešić, Mladen Cirković, Radomir Marković, Duško Adamović, Obrad Stevanović, Živko Trajković, Goran Radosavljević, Bogoljub Janičević, Slaviša Ivanović, Boško Vukićević, Sreten Popović, Nikolla Petrović, Krsman Jelić, Ljubiša Stojimirović, Božidar Delić, Radojko Stefanović, Dragan Živanović, Miloš Ðošan, Ljubinko Cvetić, Božidar Filić dhe Milovan Kovačević.
Ata ngarkohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të paraparë me nenin 142 të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së, e cila sipas legjislacionit aktual të Kosovës ndërlidhet me nenet 144, 145, 146 dhe 147 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata bëri të ditur se, me propozim të Prokurorisë Speciale, gjykimi pritet të zhvillohet në mungesë të të akuzuarve, pasi të njëjtit kanë qenë të paarritshëm për organet e drejtësisë deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
Përmes komunikatës, autoritetet u kanë bërë thirrje të akuzuarve që të paraqiten para organeve të ndjekjes në Kosovë, ndërsa qytetarëve që posedojnë informacione për vendndodhjen e tyre u kërkohet që t’i raportojnë ato në Policia e Kosovës ose tek institucionet tjera kompetente.
Seanca fillestare do të mbahet më 1 korrik 2026, në ora 09:00, në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali, Objekti D, kati i parë, salla nr.17, dhe do të udhëhiqet nga kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi.
Gjykata ka njoftuar po ashtu se aktakuza dhe ftesat për seancë janë publikuar në faqen zyrtare të gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, ndërsa opinionit publik iu premtua informim i vazhdueshëm për zhvillimet e mëtejshme të këtij rasti./IO