A i pranoi Totaj përçarjet në PDK? “Në listë ka edhe emra të përmendur në kompromitim e votave”

- Gazeta e Prizrenit

A i pranoi Totaj përçarjet në PDK? “Në listë ka edhe emra të përmendur në kompromitim e votave”

Kryetari i degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, ka bërë një deklaratë që lë të kuptohet se në listën përfundimtare të PDK-së janë përfshirë edhe kandidatë, emrat e të cilëve janë përmendur në procesin e kompromituar të numërimit të votave në zgjedhjet nacionale të dhjetorit 2025, raporton Gazeta e Prizrenit.

Ndonëse lista ende nuk është publikuar zyrtarisht dhe Totaj nuk përmend emra konkretë, deklarata e tij vjen vetëm një ditë pasi reagoi ndaj deklaratave të Nait Hasanit, duke sqaruar se ai nuk ishte propozuar nga dega e PDK-së në Prizren. Nga kjo deklaratë lihet të kuptohet se Hasani mund të jetë pjesë e listës përfundimtare.

Kjo situatë duket se nxjerr në pah mospajtimet brenda PDK-së lidhur me përpilimin e listës së kandidatëve, ndërkohë që në opinion po qarkullojnë info se në listë janë përfshirë edhe emra anonimë.

Totaj ka publikuar në Facebook një njoftim për kandidatët e propozuar nga dega e PDK-së në Prizren, ku ndër të tjera shkruan:

“Megjithatë, në listën përfundimtare të PDK-së janë përfshirë kandidatë emrat e të cilëve janë përmendur në procesin e kompromituar të numërimit të votave.”

Ai shton se dega në Prizren ka reflektuar me përgjegjësi politike dhe morale pas kërkesës së kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, për reflektim nga lidershipi lokal pas zhvillimeve në procesin zgjedhor.

Postimi i Totajt:

Të nderuar,

Kemi obligim që opinionin publik ta informojmë drejt.
Pas kompromitimit të procesit të numërimit të votave në zgjedhjet nacionale të Dhjetorit 2025, kryetari i PDK-së z. Bedri Hamza, në një intervistë në TV Klan Kosova, kishte kërkuar reflektim dhe përgjegjësi nga lidershipi i degës së PDK-së në Prizren dhe nga unë si kryetar i saj.
Pas konsultimeve të brendshme, unë dhe kryesia e degës në Prizren kemi reflektuar me përgjegjësi politike dhe morale.
Personat emrat e të cilëve u përmendën në atë proces nuk janë propozuar nga dega e PDK-së në Prizren për të qenë pjesë e listës së kandidatëve. Madje, disa prej tyre janë tërhequr publikisht nga gara deri në përfundimin e procesit ligjor.
Megjithatë, në listën përfundimtare të PDK-së janë përfshirë kandidatë emrat e të cilëve janë përmendur në procesin e kompromituar të numërimit të votave.
Sidoqoftë, ne do ta vazhdojmë garën me përkushtim të plotë dhe kontribut maksimal.
Në vijim, lista e kandidatëve të propozuar nga dega e PDK-së në Prizren:
1. Faruk Bojaxhiu
2. Jona Hoxhaj
3. Shkelzen Kastrati
4. Endra Luzha-Pula
5. Adelina Beqiri-Minci
6. Betim Ramadani
7. Lumnije Rakaj
8. Xhafer Hoxha
9. Lajde Kolgjeraj

/ Gazeta e Prizrenit



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit