Deri në 400 euro për një kurban, fermerët tregojnë arsyet e rritjes së çmimeve

- Gazeta e Prizrenit

Deri në 400 euro për një kurban, fermerët tregojnë arsyet e rritjes së çmimeve

Rritja e çmimeve në treg ka reflektuar drejtpërdrejt edhe tek kurbanet këtë vit, duke e çuar çmimin e therjes së një kurbani në Kosovë deri në 400 euro.

Fermerët thonë se shtrenjtimi i ushqimit për kafshë ka rritur ndjeshëm koston e mbajtjes së bagëtive, ndërsa organizatat humanitare paralajmërojnë se kjo situatë po e vështirëson edhe më shumë mundësinë e familjeve dhe donatorëve për të kryer obligimin e kurbanit gjatë festës së Kurban Bajramit. Edhe Bashkësia Islami e Kosovës sivjet ka rritur çmimin për therjen e një kurbani në Kosovë në 200 euro, sa ishte vitin e kaluar 180.

Fermeri Adhurim Berisha thekson për KosovaPress se këtë vit çmimet e kurbaneve në fermën e tyre sillen nga 220 deri në 400 euro, ku në çmim përfshihet edhe therja e kurbanit. Megjithatë ai shpjegon disa faktorë që kanë çuar në ngritjen e çmimeve.

“Sivjet për momentin kurbani është nga 220 euro deri në 400 euro në fermën tonë, ku në çmim përfshihet edhe therja e kurbanit. Sivjet, ndoshta kisha me thanë ka pak një ngritje të vogël, mirëpo jo edhe shumë në krahasim me vitin e kaluar. Tu e marrë parasysh se tash edhe ushqimet ose produktet bazë të delet janë shtrenjtua, duhet që edhe na me shtrenjtua kurbanin. Për shembull sivjet u shkua deri 5 euro një dëng i sanës, vitin e kaluar ka qenë një euro e gjysmë deri dy euro. Ngritja e çmimit drithnave, po ashtu edhe këtë tu e marrë parasysh se gjithçka u shtrenjtua”, tha ai.

Ai theksoi se çmimet ndryshojnë varësisht nga lloji i kafshës.

Ndërkaq, organizata humanitare “Islamic Relief Kosova” thotë se tash e 26 vite realizon shpërndarjen e mishit të kurbanit për familjet me jetimë dhe familjet në asistencë sociale. Menaxheri i departamentit për ngritjen e fondeve lokale në këtë organizatë, Lavdim Gashi, tha se rritja e çmimit të kurbanit këtë vit ka ardhur si pasojë e rritjes së përgjithshme të çmimeve në treg dhe kërkesës së madhe për kafshë.

“ Fatkeqësisht ashtu siç na kanë përcjellë rritja e çmimeve në treg e cdo gjëje, e çdo produkti, rrjedhimisht ka ndikuar edhe te cështja e kafshëve të kurbanit. Vecanërisht tash që kërkesa është shumë e lartë, kështu, në aspektin jo vetëm në Kosovë po edhe jashtë, në krejt botën, edhe dihet, çdo herë faktikisht, çdo Bajram kanë shkuar duke u rritur çmimet. Po është dicka që nuk është e varur, nuk varet prej nesh, varet prej furnitorëve. Mirëpo ne kemi dashur në këtë rast me ofruar mundësi për donatorët tanë të cilët, për të cilët mundet me qenë shuma e lartë, e që është 200 euro nuk është edhe e vogël”, thekson Gashi.

Gashi shpjegoi edhe procedurat që ndjek organizata për identifikimin e familjeve përfituese dhe shpërndarjen e mishit të kurbanit.

Ai theksoi se organizata aplikon kritere strikte për furnitorët dhe kontrollin e mishit para shpërndarjes.

Ndryshe, therja e kurbanit është një nga ritualet më të rëndësishme fetare në Islam dhe kryhet gjatë festës së Kurban Bajramit, në shenjë bindjeje, sakrifice dhe afrimi ndaj Zotit. Ky ritual lidhet me ngjarjen e profetit Ibrahim, i cili sipas besimit islam ishte i gatshëm të sakrifikonte djalin e tij, Ismailin me urdhër të Zotit, por në momentin e fundit Zoti e zëvendësoi atë me një kurban.

Për myslimanët, therja e kurbanit simbolizon devotshmërinë, solidaritetin dhe ndihmën për familjet në nevojë, pasi mishi i kurbanit shpërndahet për të afërmit, fqinjët dhe shtresat sociale me kushte më të vështira ekonomike. Këtë vit festa e Kurban Bajramit në Kosovë është më 27 maj.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit