RrOK: Komuna e Prizrenit godet skenën e pavarur kulturore

- Gazeta e Prizrenit

RrOK: Komuna e Prizrenit godet skenën e pavarur kulturore

“Kultura nuk është lëmoshë, por identiteti i Prizrenit! Mjaft më me injorim administrativ”, ka shkruar ndër të tjera Rrjeti i Organizatave të Kulturës në një reagim ku ka shprehur shqetësimin e thellë dhe revoltën ndaj Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, për neglizhencën e skajshme dhe zvarritjen e pajustifikueshme të procesit të subvencioneve kulturore për këtë vit”

Publikimin e menjëhershëm të listës, shqyrtim transparent e rishikim të buxheteve janë kërkesat kryesore të Rrjetit të Organizatave të Kulturës në Prizren drejtuar Komunës së Prizrenit sa u përket subvencioneve kulturore për vitin 2026. Rrjeti nëpërmjet një reagimi të titulluar “Neglizhenca e Komunës së Prizrenit godet skenën e pavarur kulturore” ka shprehur “shqetësimin e thellë dhe revoltën ndaj Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport”, siç thuhet për neglizhencën e skajshme dhe zvarritjen e pajustifikueshme të procesit të subvencioneve kulturore për këtë vit. S’është hera e parë që organizata me alamet reputacioni vendor e ndërkombëtar e kritikojnë Komunën e Prizrenit për qasjen ndaj skenës së pavarur kulturore.

“Si pasojë e kësaj qasjeje burokratike, organizatat që prej dekadash kontribuojnë historikisht në zhvillimin e kulturës dhe turizmit në Prizren janë lënë anash. Në mënyrë të veçantë, janë përjashtuar pa asnjë kriter të qartë, transparent dhe të qëndrueshëm ato organizata që përfaqësojnë dhe promovojnë trashëgiminë, identitetin dhe diversitetin e komuniteteve të ndryshme të qytetit”, shkruhet në reagimin e Rrjetit të bërë publik të mërkurën. Është prej reagimeve më të ashpra të bëra nga Rrjeti.

“Kultura nuk është lëmoshë, por identiteti i Prizrenit! Mjaft më me injorim administrativ”, shkruhet në reagim. Sipas Rrjetit, komuniteti kulturor ka qenë dhe mbetet hisedar kyç i zhvillimit të Prizrenit për dekada me radhë. Në reagim shkruhet se zbehja e qëllimshme e mbështetjes në vitin 2026 nuk përbën thjesht një dështim të radhës administrativ.

“Kjo është një goditje direkte dhe e qëllimshme që synon kontrollin, dobësimin e skenës së pavarur kulturore, cenimin e autonomisë sonë operative dhe heshtjen e zërit kritik të organizatave që kanë ndërtuar dhe mbajtur gjallë frymën e këtij qyteti”, shkruhet në reagim.

Publikimi i menjëhershëm i listës, shqyrtimi transparent, i drejtë dhe profesional i të gjitha ankesave të dorëzuara nga organizatat dhe rishikimi i buxheteve dhe kthim të mbështetjes dinjitoze për organizatat që mbajnë gjallë jetën kulturore në qytet, janë kërkesat e menjëhershme të Rrjetit.

“Nuk ka më vend për vonesa dhe premtime boshe. Presim zgjidhje të drejtë dhe institucionale tash”, ka shkruar Rrjeti i Organizatave të Kulturës që përfaqëson zërin e përbashkët të operatorëve kulturorë të pavarur në Prizren dhe është i angazhuar për mbrojtjen e hapësirës kulturore, diversitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm urban përmes artit dhe trashëgimisë.

Më 25 maj Komuna e Prizrenit ka publikuar listën preliminare të organizatave dhe individëve që kanë aplikuar për subvencionim të ngjarjeve kulturore. Janë 63 organizata dhe individë që janë përkrahur. S’figurojnë shumat me të cilat janë mbështetur. Kurse lista përfundimtare pas ankesave s’është publikuar ende.

KOHA ka provuar të marrë një qëndrim të kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj, por ai nuk është përgjigjur.

Festivali ndërkombëtar i filmit të shkurtër dhe dokumentar “DokuFest” që prej pasluftës është ngjarja kryesore artistike e vendit vazhdimisht ka pasur telashe me përkrahjen e Komunës së Prizrenit. Organizata vjet ka akuzuar Komunën për goditje në themelet kulturore të qytetit.

“Me gjithë rritjen e buxhetit të përgjithshëm për kulturë, shuma e ndarë për ‘DokuFest’ është ulur për gati 30 për qind në krahasim me vitin e kaluar, duke përbërë kështu më pak se 9 për qind të buxhetit të përgjithshëm të festivalit. Kjo është hera e dytë radhazi që Komuna zgjedh të shkëpusë mbështetjen për një festival që tash e 24 vjet ka qenë boshti kryesor kulturor i qytetit dhe një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Evropën Juglindore”, shkruhej në reagimin e “DokuFestit” në lidhje me ndarjet buxhetore të Komunës së Prizrenit, që ka vendosur për më shumë buxhet ndaj ngjarjeve në fillet e tyre.

Vjet me 51 mijë euro qe përkrahur “DokuFest” për edicionin e 24-të. Me 119 mijë euro ishte mbështetur festivali “Rock&Blues”, që numëronte edicionin e tretë. Festivali ndërkombëtar i teatrit të hapur “Prizren Fest” qe përkrahur me 90 mijë euro për edicionin e katërt, kurse me 60 mijë euro festivali “Zambaku i Prizrenit” për edicionin e 36-të. Midis fituesve më të mëdhenj qenë të afërmit e atyre që kanë lidhje me menaxhmentin aktual të Komunës./koha.net



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit