KQZ sqaron videon e publikuar në Rahovec: Ja çfarë materiali zgjedhor përmbante material

- Gazeta e Prizrenit

KQZ sqaron videon e publikuar në Rahovec: Ja çfarë materiali zgjedhor përmbante material

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shihen dy persona duke bartur një kuti votimi në Rahovec, duke sqaruar se materiali i paraqitur nuk ka të bëjë me fletëvotime apo materiale të ndjeshme zgjedhore.

Sipas KQZ-së, pas verifikimeve të kryera përmes Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, është konstatuar se ngjarja ka ndodhur në hapësirën përreth Qendrës Komunale të Numërimit në Rahovec dhe se kutia përmbante material zgjedhor jo-sensitiv.

Institucioni zgjedhor theksoi se materiale të tilla shpërndahen sipas procedurave një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve dhe nuk ndikojnë në integritetin e procesit të votimit.

KQZ bëri të ditur se rrethanat e rastit mund të verifikohen përmes kamerave të sigurisë të objektit, kamerave të qytetit dhe pranisë së Policisë së Kosovës në vendngjarje, të cilat sipas tyre dëshmojnë qartë se ngjarja nuk ka ndodhur brenda Qendrës Komunale të Numërimit.

Për transparencë, KQZ ka publikuar edhe fotografi të lokacionit ku është realizuar videoja, duke theksuar se bëhet fjalë për hapësirën e parkingut të palestrës sportive ku është vendosur qendra e numërimit në Rahovec.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit