Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka përfunduar procesi i votimit në 26 përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës, në 16 shtete të ndryshme, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Sipas KQZ-së, votimi është mbyllur në përfaqësitë diplomatike në Turqi, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republikën Çeke, Hungari dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërkohë, votimi pritet të përfundojë në orën 01:00 pas mesnate sipas kohës në Kosovë, në katër përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada. KQZ ka bërë të ditur se pas përfundimit të procesit edhe në këto shtete do të publikohet një njoftim i ri me shkrim.
Gjatë gjithë ditës së votimit, KQZ ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike, ndërsa zyrtarët e shërbimit votues kanë ofruar udhëzimet e nevojshme për zhvillimin e procesit në përputhje me ligjin dhe procedurat në fuqi.
Sipas institucionit, procesi i votimit në përgjithësi është zhvilluar pa pengesa të theksuara.
Në emër të KQZ-së, është shprehur falënderim për shefat dhe stafin e misioneve diplomatike, si dhe për anëtarët e këshillave të vendvotimit për angazhimin e tyre gjatë ditës së votimit.
Sipas të dhënave zyrtare, nga 26 përfaqësi diplomatike ku votimi është mbyllur, si dhe nga të dhënat deri në orën 13:00 nga votimi në SHBA dhe Kanada, nga gjithsej 27,724 votues të regjistruar kanë votuar 80.85%, apo 22,414 votues.
KQZ ka bërë të ditur se fletëvotimet nga përfaqësitë diplomatike nuk do të numërohen në vendvotime, por do të transportohen në Kosovë, ku gjatë ditëve në vijim do të bëhet numërimi i tyre.