Qytetarët e fshatit Dedaj në Has të komunës së Prizrenit po përballen prej tre ditësh me një situatë të rrezikshme, pasi një kabllo elektrike ka rënë në rrugë dhe po paraqet rrezik për kalimtarët.
Sipas pamjeve që lexuesit kanë dërguar në redaksinë e Klankosova.tv, banorët janë detyruar të improvizojnë vetë masa për të shmangur kontaktin me kabllon, duke tentuar ta mbajnë atë larg sipërfaqes së rrugës për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm.
Banorët e zonës kanë deklaruar se për problemin kanë njoftuar kompaninë KEDS, mirëpo sipas tyre, pavarësisht kalimit të tre ditëve, ende nuk është ndërmarrë asnjë intervenim në terren.
Situata po ngjall shqetësim te qytetarët lokalë, të cilët kërkojnë reagim sa më të shpejtë për të shmangur rrezikun e mundshëm nga energjia elektrike në hapësira publike.
Klankosova.tv ka tentuar të flasë edhe me zyrtarët e KEDS-it, por deri në publikimin e artikullit, nuk kanë qenë të qasshëm.