Reagon kryetari i Odës së NZ-së në Prizren, Afrim Tejeci: Zona ekonomike duhet të jetë prioritet

- Gazeta e Prizrenit

Reagon kryetari i Odës së NZ-së në Prizren, Afrim Tejeci: Zona ekonomike duhet të jetë prioritet

Kryetari i Odës së Ndërmarrësve dhe Zejtarëve në Prizren, Afrim Tejeci, ka reaguar pas seancës së fundit të Kuvendit Komunal, duke shprehur shqetësimin për mungesën e diskutimeve serioze rreth funksionalizimit të zonave industriale dhe ekonomike në qytet, përcjell Gazeta e Prizrenit.

Tejeci prej kohësh ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet si prioritet për zhvillimin ekonomik të Prizrenit.

“Me vëmendje e përcollëm seancën e Kuvendit Komunal dhe diskutimet lidhur me nevojat e qytetarëve. Është e kuptueshme dhe e drejtë që përfaqësuesit e lagjeve dhe fshatrave të kërkojnë investime në infrastrukturë, si rregullimin e trotuareve, oborreve të shkollave, rrugëve dhe projekteve të tjera që përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve”, thuhet në reagimin e Odës.

Megjithatë, sipas Tejecit, mungoi një kërkesë e përbashkët dhe serioze për një nga çështjet më të rëndësishme për zhvillimin afatgjatë të qytetit – funksionalizimin dhe zhvillimin e zonave industriale.

“Pse Prizreni ende nuk ka hapësira të mjaftueshme dhe funksionale për bizneset, zejtarët dhe investitorët që dëshirojnë të zhvillojnë veprimtarinë e tyre?”, pyet ai.

Oda e Ndërmarrësve dhe Zejtarëve u bën thirrje asamblistëve dhe institucioneve lokale që, përtej kërkesave individuale të rajoneve që përfaqësojnë, të bashkohen rreth një prioriteti strategjik – zhvillimit ekonomik të qytetit përmes krijimit dhe funksionalizimit të zonave industriale.

Sipas Tejecit, zonat industriale janë motor i zhvillimit ekonomik, tërheqjes së investimeve, krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së të hyrave komunale. Çdo vonesë në realizimin e tyre, thekson ai, nënkupton humbje të mundësive për punësim dhe mirëqenie për qytetarët e Prizrenit. Kërkesa për funksionalizimin e zonës ekonomike është ngritur vazhdimisht edhe nga komuniteti i biznesit në Prizren.

Prandaj, Oda kërkon që kjo çështje të trajtohet me prioritet të lartë nga Kuvendi Komunal, Këshilli Ekonomik dhe institucionet përkatëse, duke ndërmarrë hapa konkretë për përshpejtimin e proceseve që çojnë në funksionalizimin e plotë të zonave industriale.

“Zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës duhet të jenë në krye të agjendës sonë të përbashkët. Presim mbështetjen dhe angazhimin tuaj si përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve”, përfundon reagimi i Odës së Ndërmarrësve dhe Zejtarëve në Prizren.

Lexo edhe:

Liria konfirmoi aksionarë të rinj, por komunikata u fshi pas disa orësh



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit