A do të jetë me pagesë rruga për në Prevallë? – Reagon Ministria e Mjedisit

- Gazeta e Prizrenit

A do të jetë me pagesë rruga për në Prevallë? – Reagon Ministria e Mjedisit

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH), përmes një njoftimi zyrtar për publikun, ka reaguar ndaj siç thuhet dezinformatave që po qarkullojnë ditëve të fundit në mediat lokale të Prizrenit dhe në rrjetet sociale, lidhur me punimet për vendosjen e laurave (rampave) në hyrje të territorit të Parkut Kombëtar “Sharri”, përcjell “Gazeta e Prizenit”.

Sipas MMPH-së, këto pretendime se laurat po vendosen me qëllim të aplikimit të pagesave hyrëse dhe kufizimit të lëvizjes së banorëve në pronat e tyre janë plotësisht të pavërteta, të pakonfirmuara dhe të bazuara në paragjykime.

Ministria sqaron se ky proces ka filluar që në vitin 2020 me përgatitjet teknike dhe ka vazhduar në vitin 2024 me projektin e detajuar, në kuadër të zbatimit të dokumenteve ligjore si Plani Hapësinor dhe ai Menaxhues për PK “Sharri”, Ligji për Mbrojtjen e Natyrës dhe Rregullorja për Rendin e Brendshëm të Parqeve Kombëtare.

Për ti informuar drejt qytetarët, MMPH dhe Drejtoria e Parkut Kombëtar (DAPK) “Sharri” kanë lëshuar këtë deklaratë të plotë zyrtare:

NJOFTIM I PLOTË PËR PUBLIKUN:

“Ditëve të fundit në opinionin publik përmes mediave lokale të Prizrenit, dhe përmes rrjeteve sociale janë shpërndarë dezinformata në lidhje me punimet që po zhvillohen për vendosjen e laurave (rampave) në hyrje të territorit të Parkut Kombëtar Sharri. Të gjitha këto dezinformata bazohen në paragjykime dhe informata të pavërteta dhe të pakonfirmuara, me pretendimin që vendosja e laurave ka për qëllim aplikimin e pagesave hyrëse në Park dhe kufizimin e lëvizjes së banorëve dhe pronarëve në pronat e tyre.

MMPH, me qëllim të informimit të drejtë dhe të bazuar kërkon nga opinioni i gjerë e sidomos nga banorët që jetojnë në zonën e Parkut Kombëtarë “Sharri”, që të mos të bien pre e këtyre disinformatave keqdashëse që nuk përkojnë me realitetin.

Vendosja e laurave në hyrje të PK Sharri bazohet në plane, legjislacion dhe praktikat e parqeve në vendet e zhvilluara dhe ndërlidhen med fuqizimin e kontrollit dhe monitorimit të zonës si dhe vendosjen e rendit dhe ligjit. Qëllimi i vendosjes së laurave nuk ka të bëjë me pagesa dhe kufizime të lëvizjes në pronat private siç është paraqitur në desinformata por kanë për qëllim parandalimin e ndërtimeve ilegale dhe veprimeve të tjera ilegale siç janë prerjet e pyjeve, gjuetia, transporti dhe tregtia e ndaluar.

Vendosja e laurave është një proces që ka filluar që në vitin 2020 me përgaditjet teknike dhe ka vazhduar në vitin 2024 me projektin e detajuar, në kuadër të zbatimit të dokumenteve strategjike dhe ligjore që e rregullojne menaxhimin e parkut dhe që përfshijnë Planin Hapësinorë për Parkun Kombëtarë “Sharri”, Planin Menaxhues për Parkun Kombëtarë “Sharri”, Rregulloren për Rendin e Brendshëm të Parqeve Kombatëre, Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës dhe akteve tjera ligjore dhe nënligjore.

Vendosja e laurave nuk do të paraqesë asnje pengesë për komunitetin lokal dhe nuk i kufizohet lëvizja në pronat private të pronarëve por përkundrazi do ofrojë atyre përparësi dhe mundësi për zhvillim lokal nga statusi i parkut por edhe përfitime të shumta si shfrytëzimi i pyjeve, kullotave, frutave pyjore (boronicave, kërpudhave, bimëve), burimeve të ujit etj., pa asnjë kufizim dhe pa pagesë.

Andaj, DAPK Sharri, kërkon nga përfaqësuesit e komunitetit lokal që të marrin informata e ofruara nga drejtoria lidhur me destinimin e laurave si informata zyrtare dhe të njoftojnë banorët dhe të kërkojnë nga ata që të mos bien pre e dezinfomatave. Desinformatat dhe protesta e paralajmëruar kundër vendosjes së laurave nuk janë protesta për të mbrojtur drejtën e pronës private, sikur pretendohet sepse këtë drejtë çdo qytetar i Republikës së Kosovës e ka të garantuar me ligj, bur qëllimi i vërtet i tyre është përkrahja e dukurive dhe veprimeve të kundërligjshme, ilegale dhe pengimi i vendosjes së rendit dhe ligjit në Parkun Kombëtar që është në interes të përgjithshëm qytetar dhe institucional.

Këshillohet komuniteti lokal që të mos bien pre e desinformatave dhe propagandave keqdashëse për interesa personale të individëve të caktuar por informatat të merrën nga institucionet relevante shtetërore të cilët janë në shërbimin dhe përkrahjen e tyre. Në dispozicion për takime me përfaqësuesit e komunitetit lokal për të ofruar informata shtesë lidhur me projektin e laurave janë edhe menaxhmenti i lartë i MMPH.”



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit