Franca shkruan histori, vendos dy rekorde të reja në Botëror

- Gazeta e Prizrenit

Franca shkruan histori, vendos dy rekorde të reja në Botëror
Franca vazhdon të impresionojë në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Suedinë me rezultat bindës 3-0 dhe duke siguruar kualifikimin në fazën e 1/16 së finales. Përveç fitores, “Les Bleus” vendosën edhe dy rekorde historike në turne.

Skuadra e Didier Deschamps regjistroi fitoren e katërt radhazi, pasi në fazën e grupeve kishte mposhtur Irakun, Norvegjinë dhe Senegalin. Në raundin tjetër, Franca do të përballet me Paraguajin, që eliminoi në mënyrë surprizuese Gjermaninë pas penalltive.

Në suksesin ndaj Suedisë shkëlqeu Kylian Mbappe me dy gola, ndërsa Bradley Barcola realizoi golin tjetër, duke i dhënë Francës një fitore të merituar.

Dy rekorde historike

Me këtë triumf, Franca u bë kombëtarja e parë në histori që arrin shtatë fitore radhazi ndaj përfaqësueseve evropiane në Kupën e Botës.

Po ashtu, skuadra e Deschamps vendosi një tjetër rekord të veçantë, duke u bërë ekipi i parë që shënon të paktën tre gola në pesë ndeshje radhazi në historinë e Botërorit.

Një statistikë tjetër që rrit optimizmin në kampin francez është fakti se kjo është hera e parë që Franca fiton të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve në një turne madhor që nga Kupa e Botës 1998 – edicion në të cilin fitoi për herë të parë titullin kampion.

Fitore historike edhe ndaj Suedisë

Triumfi 3-0 ishte gjithashtu fitorja e parë e Francës ndaj Suedisë në një turne madhor.

Dy kombëtaret kishin barazuar 1-1 në Euro 1992, ndërsa Suedia kishte triumfuar 2-0 në Euro 2012 falë golave të Zlatan Ibrahimovicit dhe Sebastian Larssonit.

Franca tani konsiderohet një nga favoritët kryesorë për fitimin e Kupës së Botës, ndërsa në fazën e ardhshme do të synojë të vazhdojë serinë e saj mbresëlënëse përballë Paraguajit./FO



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit