Një 29-vjeçar ka përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës pasi dyshohet se ka kërcënuar me vrasje dy zyrtarë policorë gjatë një incidenti të ndodhur mëngjesin e së premtes në Suharekë, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për A.T, rreth 29-vjeçar, për të cilin Policia ishte njoftuar rreth orës 07:20 për një mosmarrëveshje në parkingun “Xoni”.
Sipas burimeve, i dyshuari po tentonte ta tërhiqte automjetin në mënyrë të njëanshme nga parkingu, por pasi zyrtarët policorë e njoftuan se duhej t’u përmbahej procedurave ligjore, ai u bë agresiv dhe refuzoi t’i bindet urdhrave.
Për shkak të sjelljes së tij, policët e shoqëruan në Stacionin Policor në Suharekë, ku, sipas burimeve, ai vazhdoi t’i kanoste dy zyrtarët policorë duke u thënë se do t’i vriste.
Gjatë testimit, i dyshuari rezultoi nën ndikimin e alkoolit me 0.94 promil.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, A.T është mbajtur për gjashtë orë në Stacionin Policor, ndërsa pas intervistimit do të merret vendimi lidhur me procedurat e mëtejshme penale.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.