Drejtori i Shërbimit Korresktues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani ka thënë se synimi kryesor i tyre për këtë vit është fuqizimi i njësisë ekonomike, njësi e cila sipas tij, do të jetë promotor i zhvillimit ekonomik të SHKK-së.
“Sot, kur po flasim Shërbimi Korrektues i Kosovës cilësohet si model, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë dhe më gjerë. Vetëm vitin e fundit Shërbimi Korrektues i Kosovës është vlerësuar me dy çmime ndërkombëtare të ekselencës. Vitin e kaluar nga institucioni ndërkombëtar, Organizata Ndërkombëtare e Burgjeve, për reformë në programe rehabilituese dhe trajtim të kujdesit shëndetësor. Po ashtu edhe këtë vit për reformë në programe rehabilituese nga Rrjeti Evropian i Burgjeve në mesin e pesë shteteve më të mira. Prioriteti ynë mbetet trajtimi i personave me nevoja të veçanta, fokusi te shëndeti mendor. Siç e dini edhe në këtë drejtim, neve vetëm kemi themeluar institucionin për trajtimin e personave me nevoja të veçanta. Po ashtu kemi filluar zgjerimin e kapaciteteve në Institutin e Psikiatrisë Forenzike atje. Por, sigurisht që synimi ynë kryesor gjatë këtij viti është fuqizimi i njësisë ekonomike, njësi e cila do të jetë promotor i zhvillimit ekonomik të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, tha ai.
Kurse, sa i përket keqtrajtimeve në institucione korrektuese, Dibrani tha se nuk është evidentuar ndonjë rast i faktuar.
“Fati i mirë është që viteve të fundit, edhe pse kemi pasur ankesa të vogla apo raste të izoluara të ankesave, nuk është evidentuar asnjë rast i vetëm i cili është i faktuar, si nga organizatat vendore, po ashtu edhe nga organizatat ndërkombëtare. E keni parë edhe vitin e kaluar edhe raporti i vendit apo raporti i progresit nuk evidenton asnjë rast të vetëm të keqtrajtimit të personave që mbahen në institucionet tona korrektuese”, u shpreh ai.
Ai tha se aktualisht në institucionet korrekturse aktualisht po mbahen 1744 persona, prej të cilëve rreth 60 janë të mitur.
“Sot kur po flasim, kemi 1744 persona. Prej tyre janë 1100 të dënuar dhe 500 e diçka të paraburgosur. Këto shifra janë me vite, 1000 deri 1100 të dënuar dhe 600-500 të paraburgosur, që nuk dallojnë me vite. Po ashtu, numri i të miturve, përfshirë qendrën e paraburgimit për të mitur, qendrën me masa edukative dhe qendrën korrektuese, nuk e tejkalon 50-60 të mitur”, tha Dibrani.
Dibrani bëri të ditur se në prill të vitit 2027 do vijë grupi i parë i të burgosurve nga Danimarka.
“Prilli i vitit 2027 do të jetë muaji kur pritet që grupi i parë i të burgosurve nga Danimarka të vijë në Kosovë”, tregoi ai.
Kurse, dha më shumë detaje rreth asaj se si do të funskionojë burgu.
“Sigurisht që do të ketë, sepse atje do të jetë një lloj bashkëqeverisje e burgut. Atje do të udhëhiqet nga guvernatori danez dhe drejtori kosovar. Po ashtu, pjesa e sigurisë do të jetë stafi kosovar, oficerët që janë duke punuar atje. Të njëjtit janë duke ndjekur edhe trajnimet bazike në Danimarkë. Tani më kur po flasim, atje është duke ndjekur trajnimin grupi i dytë i oficerëve korrektues nga Gjilani. Grupi i parë veç ka përfunduar trajnimin bazik, trajnim i cili bazohet në rregullat, apo më mirë të themi, në rendin shtëpiak danez, sepse në qendrën e paraburgimit në Gjilan do të zbatohet rendi shtëpiak danez”, tha ai.
Sa i përket përfitimeve nga kjo marrëveshje, Dibrani tha se përveç vlerës 210 milionë euro, do të përfitohen edhe praktikat më të mira të sistemit korrektues danez.
“Natyrisht, përveç të mirave materiale, siç e dini, tashmë i dinë i gjithë opinioni mbarë. Vlera e kësaj marrëveshje është afër 210 milionë euro. Neve do të kemi mundësi që nga kjo marrëveshje të përfitojmë edhe praktikat më të mira të sistemit danez korrektues, sepse sistemi korrektues danez është një prej sistemeve më të mira në botë”, u shpreh ai.
Danimarka nënshkroi në prill të vitit 2022 një marrëveshje me Kosovën për të sjellë 300 të burgosur në Kosovë si përpjekje për të reduktuar mbipopullimin në burgjet e Danimarkës.
Të burgosurit do të dërgohen në një burg në qytetin e Gjilanit.