ATK-ja paralajmëron pronarët: Deklarojini të ardhurat nga qiraja ose përballuni me gjoba dhe masa ligjore

- Gazeta e Prizrenit

ATK-ja paralajmëron pronarët: Deklarojini të ardhurat nga qiraja ose përballuni me gjoba dhe masa ligjore
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka intensifikuar aktivitetet për identifikimin e të ardhurave të padeklaruara nga dhënia me qira e pronave, duke u bërë thirrje të gjithë personave fizikë që realizojnë të ardhura nga qiraja – përfshirë edhe përmes platformave elektronike si Airbnb – t’i deklarojnë ato dhe të përmbushin detyrimet tatimore në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Përmes këtij njoftimi, ATK-ja synon të nxisë përmbushjen vullnetare të obligimeve tatimore dhe të sigurojë trajtim të barabartë për të gjithë tatimpaguesit.

ATK-ja u bën thirrje të gjithë personave që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave dhe që ende nuk i kanë deklaruar ato, që sa më parë t’i përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre tatimore, duke:

• u pajisur me numër fiskal pranë ATK-së, nëse nuk janë të regjistruar;

• deklaruar të ardhurat e realizuara; dhe

• paguar detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.

Njoftimi i plotë:

Deklarimi dhe tatimi i të ardhurave nga dhënia me qira e pronave

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton të gjithë personat fizikë që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e banesave, shtëpive ose pronave të tjera, përfshirë edhe përmes platformave elektronike, si Airbnb dhe platforma të tjera të ngjashme, se këto të ardhura duhet të deklarohen dhe i nënshtrohen tatimit në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.

ATK-ja, në kuadër të aktiviteteve të saj për identifikimin e ekonomisë joformale, ka analizuar të dhënat dhe informacionet që disponon dhe ka konstatuar se një numër personash kanë realizuar të ardhura nga dhënia me qira e pronave, por nuk janë regjistruar në ATK, nuk kanë deklaruar këto të ardhura dhe nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre tatimore.

Për këtë arsye, ATK u bën thirrje të gjithë personave që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave dhe që ende nuk i kanë deklaruar ato, që sa më parë t’i përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre tatimore, duke:

• u pajisur me Numër Fiskal pranë ATK-së, nëse nuk janë të regjistruar;

• deklaruar të ardhurat e realizuara; dhe

• paguar detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.

ATK-ja rikujton se disponon informacione, të dhëna dhe prova që mundësojnë identifikimin e personave që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave. Nëse këta persona nuk përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre, ATK-ja do të ndërmarrë veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi, duke përfshirë:

• regjistrimin sipas detyrës zyrtare, kur plotësohen kushtet ligjore;

• vlerësimin e detyrimeve tatimore bazuar në informacionet, të dhënat dhe provat që disponon;

• ngarkimin e interesave dhe gjobave; si dhe

• ndërmarrjen e masave të tjera administrative dhe ligjore të parashikuara nga legjislacioni tatimor.

ATK mbetet e përkushtuar në promovimin e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore dhe sigurimin e trajtimit të barabartë të të gjithë tatimpaguesve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Për informata shtesë lidhur me regjistrimin, deklarimin dhe pagesën e tatimeve, tatimpaguesit mund të kontaktojnë Administratën Tatimore të Kosovës përmes kanaleve zyrtare të komunikimit ose të vizitojnë zyrat më të afërta të ATK-së.

Përmbushja vullnetare është zgjedhja më e mirë.

Administrata Tatimore e Kosovës



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit