Zëdhënësi i qeverisë në detyrë, Arlind Manxhuka, ka dënuar ashpër deklarimin e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, që deklaroi se, po të ishte në vendin e Millosheviqit, do të kishte bërë spastrim etnik në Kosovë.
“Ndërkohë që Millosheviqi bëri spastrim etnik në Kosovë, për pothuajse 27 vite elitat në Serbi vazhduan mendësinë e njëjtë, sigurisht të përshtatur me rrethanat e reja. Ju e keni parë së fundmi kur Vuçiq, Presidenti i Serbisë, tha se Radojçiq nuk është kriminel, ndërkohë që ai ishte prijës i përpjekjes terroriste në shtator 2023 për aneksimin e veriut të vendit tonë. Ndërsa, për vite me radhë, shteti i Serbisë në Luginën e Preshevës po kryen spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve” u shpreh Manxhuka, nëpërmjet një postimi në Facebook.
Ai pohon se shteti ynë është i vetëdijshëm se me kë ka të bëjë, teksa fton të gjithë akterët ta dënojnë këtë gjuhë dhe ta kenë parasysh kur flasi për integrimin dhe fondet e Serbisë.
Sipas tij, deklarimi i Paunoviqit nuk është thjesht deklarim, por aspiratë nga e cila shteti serb nuk ka hequr dorë.
Ky është postimi i plotë i Arlind Manxhukës:
Deklarata e plotë e dhënë sot për disa media në lidhje me deklaratën e ministres serbe:
Problemi qëndron se shteti i Serbisë nuk ka bërë asnjëherë asnjë lloj distancimi nga politika e Millosheviqit. Për më tepër, vetë Presidenti i këtij shteti ka qenë ministër i tij, ndërkohë që hiç më të mira nuk janë as deklarimet e as sjelljet e tij karshi Republikës së Kosovës. Në këtë atmosferë janë edhe deklarimet e tilla si kjo e fundit e ministres, që tha se po të ishte në pozitën e Millosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovën.
Ndërkohë që Millosheviqi bëri spastrim etnik në Kosovë, për pothuajse 27 vite elitat në Serbi vazhduan mendësinë e njëjtë, sigurisht të përshtatur me rrethanat e reja. Ju e keni parë së fundmi kur Vuçiq, Presidenti i Serbisë, tha se Radojçiq nuk është kriminel, ndërkohë që ai ishte prijës i përpjekjes terroriste në shtator 2023 për aneksimin e veriut të vendit tonë. Ndërsa, për vite me radhë, shteti i Serbisë në Luginën e Preshevës po kryen spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm se me kë kemi të bëjmë, ndërkohë është mirë që të gjithë, përveçse ta dënojnë këtë gjuhë, ta kenë në mendje kur flasin me Serbinë për integrim, reforma dhe fonde, si dhe ta kuptojmë që këto nuk janë thjesht deklarime, por aspirata nga të cilat shteti zyrtar i Serbisë nuk ka hequr dorë.