Investim strategjik në energji, Rahoveci bëhet me park solar prej 105 MW

- Gazeta e Prizrenit

Investim strategjik në energji, Rahoveci bëhet me park solar prej 105 MW

Në Kramovik të Rahovecit u mbajt ceremonia zyrtare për fillimin e ndërtimit të Parkut Solar Fotovoltaik me kapacitet prej 105 megavatësh, projekt që konsiderohet një hap i rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë. Në ceremoni morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përfaqësues të institucioneve, investitorëve dhe partnerëve të projektit.

Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se punimet për parkun solar kanë nisur pas përfundimit të ankandit konkurrues të organizuar nga Ministria e Ekonomisë, duke theksuar se kapaciteti prej 105 megavatësh dhe çmimi konkurrues i energjisë dëshmojnë rëndësinë e projektit dhe modelin e ri të zhvillimit të investimeve në sektorin energjetik.

“Po takohemi këtu në Kramovik të Rahovecit, ku punimet tashmë kanë filluar për parkun solar pas ankandit konkurrues të Ministrisë së Ekonomisë. Parku do të ketë kapacitet prej 105 MW për kyçje në rrjet. Çmimi i energjisë, 48.88 € për megavat/orë është përcaktuar nga gara e fortë ndërmjet pesë ofertuesve. Kapaciteti tregon madhësinë e projektit dhe rëndësinë e tij për sistemin tonë energjetik. Mënyra e përzgjedhjes dhe çmimi konkurrues tregojnë kthesën që qeverisja jonë ka sjellë në projekte të mëdha të energjisë. Transparencë e plotë ku secili ka qasje në të gjithë dokumentacionin, investitorët informohen çdonjëri njësoj dhe të gjithë konkurrojnë në kushte të barabarta e të qarta. Ky model tashmë është vendosur, është dëshmuar dhe do të vazhdojë”, ka thënë Kurti.

Kurti foli edhe për projektet e tjera që janë në zhvillim në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, duke përmendur ankandin për parkun me erë deri në 100 megavatë, përfundimin e afërt të parkut me erë në Zatriq, si dhe projektin e KEK-ut për ndërtimin e një parku solar me kapacitet mbi 100 megavatë. Sipas tij, investimet në energjinë diellore dhe atë të erës janë bërë gjithnjë e më të rëndësishme për shkak të kostos konkurruese dhe rolit të tyre në uljen e varësisë nga importi.

“Ankandi ynë i radhës, deri në 100 MW për energjinë nga era, tashmë është në fazën e fundit për dorëzimin e ofertave. Kemi tre ofertues të parakualifikuar nga Franca, nga Gjermania dhe Kosova, si dhe nga Turqia – që të gjithë me përvojën dhe ekspertizën e duhur për sukses. Nga këtu ku jemi, mund të shohim në horizont turbinat e parkut të erës në Zatiq me kapacitet 70 MW, i cili është afër përfundimit. Ndërkohë, KEK-u, me përkrahjen e Bankës Zhvillimore Gjermane KfW, ka tenderuar parkun e tij solar me kapacitet së paku 100 MW. Burimet e ripërtëritshme të energjisë janë gjithnjë e më të rëndësishme, pra në peizazhin e energjisë, sepse përveç që janë të pastra, vitet e fundit teknologjitë janë bërë përherë e më konkurruese për nga kostoja. Ndërsa burimet e tilla si dielli dhe era, janë burime të pashtërshme që nuk kanë kosto dhe kontribuojnë në uljen e nevojës për import”,  ka thënë Kurti.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit