Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka bërë të ditur se hetimet kanë nisur në qershor të vitit 2026, pas pranimit të informacioneve operative për keqpërdorim të pagesave të pacientëve.
Sipas autoriteteve, gjatë hetimeve janë siguruar prova që krijojnë dyshimin e bazuar se të dyshuarit, Xh.B., kryeinfermier, dhe B.R., infermier në QKMF-në e Prizrenit, kanë përvetësuar para të arkëtuara nga pagesat për shërbimet shëndetësore gjatë ndërrimit të natës.
Sipas Prokurorisë, përvetësimet dyshohet se janë kryer në periudhën nga gushti deri në nëntor të vitit 2024, si dhe nga shkurti deri në dhjetor të vitit 2025.
Nga hetimet rezulton se Xh.B. dyshohet se ka përvetësuar 1,250 euro, ndërsa B.R. rreth 1,032 euro. Në total, shuma që dyshohet se është përvetësuar arrin në 2,282 euro.
Pas intervistimit në prani të mbrojtësve, Prokurori i Shtetit ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh ndaj të dyshuarve.
Prokuroria ka njoftuar se brenda afatit ligjor do të vendosë nëse do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa hetimet për rastin do të vazhdojnë dhe mund të zgjerohen edhe për periudha të tjera kohore.