Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit J.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të ish Ligjit Penal të ish RSFJ-së.
“Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse i pandehuri lihet në liri, mund të arratiset me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale, po ashtu i njëjti është edhe shtetas i Serbisë, andaj ekziston rreziku real që të arratiset lehtë dhe të jetë i pa arritshëm për organet e drejtësisë, me çka do të pamundësohet sigurimi i prezencës së tij dhe do të pengohej rrjedha normale e procedurës penale”, njofton Gjykata Themelore në Prishtinë.
Gjykata gjithashtu vlerësoj se nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku që i njëjti të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë, andaj konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë, për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale, në këtë çështje penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Lexo edhe: