Pamje nga arrestimi prizrenasit Egzon Reshani, i shpallur në kërkim për disa vepra të rënda penale

- Gazeta e Prizrenit

Pamje nga arrestimi prizrenasit Egzon Reshani, i shpallur në kërkim për disa vepra të rënda penale

IndeksOnline ka siguruar pamje nga momenti i arrestimit të Egzon Reshanit, personit të shpallur në kërkim për disa vepra të rënda penale, i cili u kap nga zyrtarët e Policisë Kufitare të Kosovës gjatë një operacioni në afërsi të vijës kufitare me Serbinë.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 03.08.2026, pak pas orës 22:00, zyrtarët e Policisë Kufitare, gjatë patrullimit dhe mbikëqyrjes së vijës kufitare në SPMK-Muçivërcë, në zonën e fshatit Karaqevë e Poshtme, kanë identifikuar një automjet të dyshuar duke hyrë nga drejtimi i fshatit Breznicë (Serbi) në territorin e Republikës së Kosovës.

Pas vlerësimit të situatës, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme operative, me ç’rast automjeti është ndaluar në fshatin Novosellë. Gjatë kontrollit policor, pasagjeri i automjetit, i identifikuar si Egzon Reshani, ka tentuar t’u shmanget zyrtarëve policorë duke ikur me vrap në drejtim të vijës kufitare, përkatësisht drejt fshatit Breznicë në Serbi.

Falë reagimit të shpejtë dhe veprimeve profesionale të zyrtarëve policorë, i dyshuari është ndaluar dhe arrestuar në afërsi të vijës kufitare, duke u parandaluar largimi i tij nga territori i Republikës së Kosovës.

Ndaj të arrestuarit ishte në fuqi një urdhërarrest aktiv dhe ai kërkohej nga organet e drejtësisë për veprat penale: “Vrasje në tentativë”, “Fajde”, “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Detyrim”.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit