Kizolli kritikon projektin e parkingut te “Shtëpia e Bardhë”: Përgjegjësia nuk delegohet

- Gazeta e Prizrenit

Kizolli kritikon projektin e parkingut te “Shtëpia e Bardhë”: Përgjegjësia nuk delegohet

Ish-drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, Beni Kizolli, ka ngritur kritika ndaj projektit për ndërtimin e parkingjeve në zonën e “Shtëpisë së Bardhë”, duke akuzuar kryetarin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, se ka nënshkruar projektin pa e kuptuar në tërësi përmbajtjen e tij.

Në një video të publikuar në kuadër të serisë së tij “Faktet Flasin”, Kizolli ka thënë se nuk mjafton deklarata se një zyrtar është “mashtruar”, pasi sipas tij përgjegjësia për vendimet e marra nga institucioni nuk mund të delegohet.

“Kur një projekt iniciohet, nënshkruhet dhe mbrohet publikisht nga vetë kryetari, përgjegjësia mbetet mbi të”, ka deklaruar Kizolli.

Ai ka vlerësuar se ndonëse është arritur të ndalet ndërtimi i një qendre tregtare të planifikuar në atë zonë, investimi për vetëm rreth 210 vendparkingje nuk është zgjidhja e duhur për qytetin, duke kërkuar një qasje tjetër për këtë hapësirë.

Sipas tij, alternativa do të duhej të ishte ndërtimi i një parkingu me rreth 500 vendparkingje, i shoqëruar me një shesh me sipërfaqe rreth 5 mijë metra katrorë.

Kizolli u ka bërë thirrje bizneseve dhe subjekteve opozitare që të kundërshtojnë këtë projekt, duke kërkuar më shumë debat publik dhe transparencë për mënyrën e realizimit të tij, raportoi Tv Prizreni, përcjell Gazeta e Prizrenit.

Ai gjithashtu ka rikujtuar se lidhur me këtë çështje është ngritur kallëzim penal ndaj dy zyrtarëve komunalë, ndërsa ka kritikuar kryetarin Totaj për mungesë të marrjes së përgjegjësisë politike, duke pretenduar se ai ia ka atribuar përgjegjësinë vartësve të tij.

Komuna e Prizrenit ka zhvilluar procedura për hartimin dhe rishikimin e projektit për parkingjet te “Shtëpia e Bardhë”, përfshirë procedura të prokurimit për hartimin e dokumentacionit teknik.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit