Tentim-kontrabandimi në Qafë Prush, Dogana sekuestron qindra produkte

- Gazeta e Prizrenit

Tentim-kontrabandimi në Qafë Prush, Dogana sekuestron qindra produkte

Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka parandaluar një rast të tentim-kontrabandimit të mallrave në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Prush.

Sipas njoftimit të Doganës, gjatë kontrollit të automjeteve në hyrje të Republikës së Kosovës, një automjet është përzgjedhur për kontroll të detajuar doganor. Drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se nuk kishte mallra apo mjete monetare për deklarim.

Megjithatë, gjatë kontrollit të realizuar nga zyrtarët doganorë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë zbuluar 504 copë Barium Sulfate (Bariumsulfate) të padeklaruara, të cilat ishin fshehur në bagazhin e automjetit.

Dogana ka bërë të ditur se personi ka tentuar të fusë mallrat në territorin doganor të Kosovës pa i paraqitur dhe pa përmbushur detyrimet ligjore të deklarimit, duke shkelur dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247.

Mallrat janë ndaluar dhe sekuestruar nga autoritetet doganore, ndërsa ndaj rastit do të zhvillohen procedurat e mëtejshme administrative dhe kundërvajtëse.

Dogana e Kosovës ka deklaruar se do të vazhdojë angazhimin në luftimin e kontrabandës, ekonomisë joformale dhe mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit