Malishevë: Vendoset gurthemeli i Xhamisë së Gurit

- Gazeta e Prizrenit

Malishevë: Vendoset gurthemeli i Xhamisë së Gurit

Në qendër të Malishevës është vendosur sot gurthemeli i Xhamisë së Gurit, në një ceremoni ku morën pjesë qytetarë, përfaqësues të institucioneve lokale dhe drejtues të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve ishin të pranishëm Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Malishevës, Sead ef. Paqarizi, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve fetare.

Myftiu Naim ef. Tërnava e cilësoi ndërtimin e xhamisë si një projekt të rëndësishëm për qytetin, duke theksuar se objekti do të shërbejë për besimtarët dhe komunitetin.

“Dua t’ju uroj për këtë xhami që do ta shndrisë Malishevën. Xhamia dhe Islami janë paqe, janë mëshirë”, tha Tërnava.

Sipas tij, përfundimi i punimeve do të krijojë një hapësirë në shërbim të qytetarëve dhe besimtarëve, me fokus te besimi, edukimi dhe solidariteti.

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Malishevës, Sead ef. Paqarizi, tha se vendosja e gurthemelit shënon realizimin e një synimi të kahershëm.

“Sot, në këtë truall, po i japim drejtim një ëndrre. Po vendosim pikën e parë të një vepre që nesër do të jetë qendër e faljes, mësimit, ndihmës dhe solidaritetit”, u shpreh Paqarizi.

Mbështetje për projektin shprehu edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i cili tha se ndërtimi i xhamisë është një moment i rëndësishëm për qytetin.

Në ceremoni foli edhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj. Ai vlerësoi rolin e institucioneve fetare dhe të imamëve në periudha të ndryshme të historisë së Kosovës, përfshirë periudhat e çlirimit dhe shtetndërtimit.

Gjatë ceremonisë u bë thirrje për solidaritet dhe kontribut në realizimin e projektit.

Sipas organizatorëve, kompleksi i Xhamisë së Gurit, përveç hapësirave të adhurimit, parashihet të ketë edhe ambiente për edukim, mësim, aktivitete shoqërore dhe ndihmë për komunitetin.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit