Policia e Kosovës ka ndërmarrë një hap të ri për modernizimin e punës së policëve të lagjes, duke vënë në dispozicion 14 automjete të reja hibride.
Ky investim synon rritjen e efikasitetit në terren dhe forcimin e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me komunitetin.
Menaxhmenti i Policisë së Kosovës po vazhdon përpjekjet për të përmirësuar kushtet dhe kapacitetet e punës së policëve të lagjes, me synimin që ata të jenë më të pranishëm dhe më afër qytetarëve dhe nevojave të tyre.
Në kuadër të zbatimit të objektivave të Strategjisë së Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi, Policia e Kosovës ka vazhduar mbështetjen për Divizionin e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim.
Sipas Policisë, pajisja me automjete të reja synon të fuqizojë qasjen proaktive ndaj kërkesave të qytetarëve, të rrisë mobilitetin e policëve të lagjes dhe të kontribuojë në një reagim më efikas në terren.
Kjo masë vjen në kuadër të përpjekjeve për një polici më të afërt me komunitetin dhe për forcimin e sigurisë në nivel lokal.