Një operacion i Policisë së Kosovës kundër narkotikëve ka përfunduar me sekuestrimin e rreth 3 kilogramëve marihuanë, dy automjeteve dhe dy telefonave celularë.
Rasti ka ndodhur sot, kur zyrtarët e Sektorit Qendror për Hetimin e Narkotikëve (SQHN) kanë lokalizuar dy automjete me targa vendore, për të cilat dyshohej se po transportonin drogë nga Prishtina në drejtim të Mitrovicës.
Situata është tensionuar gjatë tentativës për ndalimin e automjeteve, pasi të dyshuarit nuk iu bindën urdhrave të policisë dhe, sipas Policisë, goditën zyrtarët policorë në uniformë.
Për neutralizimin e rrezikut, zyrtarët policorë përdorën armën e zjarrit, ndërsa njësitë policore arritën t’i ndalonin automjetet e dyshuara.
Gjatë kontrollit të njërës prej veturave, policia gjeti dhe sekuestroi rreth 3 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Operacioni vazhdoi edhe me tri bastisje në lokacione të ndryshme, ku u gjetën dhe u sekuestruan edhe: 0.7 gramë marihuanë; dy automjete; dy telefona celularë.
Për rastin është njoftuar prokurori kompetent. Me urdhër të tij, personat e dyshuar janë arrestuar dhe, pas procedurave të nevojshme ligjore, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.