Vendos Gjykata: Një muaj paraburgim ndaj serbit që dyshohet për su*lm ndaj KFOR-it në Zveçan

- Gazeta e Prizrenit

Vendos Gjykata: Një muaj paraburgim ndaj serbit që dyshohet për su*lm ndaj KFOR-it në Zveçan

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të martën masën e paraburgimit ndaj të pandehurit Igor Markoviqit, i dyshuar për përfshirje në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023 në Zveçan.

Sipas Gjykatës, ndaj Igor Markoviqit ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizmin”, “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

 

Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse i pandehuri lihet në liri, mund të arratiset me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale. Po ashtu, gjykata theksoi se i njëjti është shtetas i Serbisë, andaj ekziston rreziku real që të arratiset lehtë dhe të jetë i paarritshëm për organet e drejtësisë.

Gjykata gjithashtu vlerësoi se, nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku që ai të ndikojë në prova dhe dëshmitarë. Për këtë arsye, konstatoi se masa e paraburgimit, tani për tani, është e vetmja masë për rrjedhjen e papenguar të procedurës penale në këtë çështje.

I dyshuari dyshohet se ishte i përfshirë në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023 në Komunën e Zveçanit.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit