Një shtetas i Kosovës është arrestuar në pikën kufitare ndërkombëtare Karasovici, në Kroaci, pasi gjatë kontrollit kufitar është konstatuar se ndaj tij kishte një fletarrestim ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol Beograd.
Sipas mediave kroate, bëhet fjalë për B.B., 49-vjeçar, nga Nerodimja e Poshtme, i cili ishte duke hyrë në Kroaci si drejtues i një automjeti të tipit Audi A6 me targa gjermane.
Fletarrestimi ndaj tij ishte lëshuar më 29 prill 2024, me kërkesë të Interpolit në Beograd. Serbia e akuzon shtetasin kosovar se gjatë luftës në Kosovë, në fund të viteve ’90, kishte kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.
Pas arrestimit, B.B. është njoftuar për të drejtat e tij ligjore dhe është dërguar para gjyqtarit hetues të Gjykatës së Qarkut në Dubrovnik. Gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit, me qëllim të procedurës për ekstradim.
Megjithatë, ekstradimi i tij në Serbi nuk është ende i sigurt. Autoritetet serbe kanë 40 ditë afat që Gjykatës së Qarkut në Dubrovnik t’i dorëzojnë dokumentacionin e plotë me të cilin argumentojnë kërkesën për arrestim dhe ekstradim.
Sipas burimeve pranë hetimit gjyqësor, të cituara nga media kroate, B.B. i ka mohuar kategorikisht akuzat për krime lufte. Ai ka dhënë një version krejtësisht të kundërt të ngjarjeve dhe ka mohuar përgjegjësinë për veprën për të cilën akuzohet nga Serbia.
Lufta në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 u shoqërua me krime të shumta ndaj civilëve. Shumica e krimeve të dokumentuara iu atribuuan forcave serbe, përfshirë policinë dhe Ushtrinë Jugosllave, ndërsa një numër më i vogël rastesh lidhen edhe me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). /dubrovackidnevnik.net.hr