Një person është arrestuar në Brezovicë nën dyshimin për posedim të substancave narkotike.
Pas daljes në vendin e ngjarjes, policia ka kontrolluar një 27-vjeçar, shtetas të Kosovës, të cilit i janë gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe dy peshore digjitale.
Me dyshimin se personi mund të posedonte edhe substanca të tjera narkotike, policia ka kontrolluar edhe një vilë tjetër, ku është gjetur një sasi shtesë e dyshuar marihuane.
Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar gjithsej 1 mijë e 63 gramë marihuanë, dy peshore digjitale, një çantë krahu e zezë, një thikë metalike dhe një telefon celular.
Për rastin është njoftuar Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, e cila ka marrë përsipër procedimin e mëtejshëm. Ndërkohë, prokurori i shtetit ka autorizuar intervistimin e të dyshuarit dhe ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë, për procedura të mëtejshme hetimore./IO