Prizren: Gjykata i lë në arrest shtëpiak dy infermierët nga QKMF

- Gazeta e Prizrenit

Prizren: Gjykata i lë në arrest shtëpiak dy infermierët nga QKMF

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për një muaj ndaj dy infermierëve të QKMF-së në Prizren, Xhemajli Bislimaj dhe Besnik Ramadani, të dyshuar për përvetësimin e parave të mbledhura nga bashkëpagesat e pacientëve.

Sipas vendimit të Gjykatës, Bislimaj dhe Ramadani dyshohet se gjatë periudhave gusht–nëntor 2024 dhe shkurt–dhjetor 2025, gjatë ndërrimeve të natës në QKMF-Prizren, kanë përvetësuar një pjesë të parave të arkëtuara nga pagesat e pacientëve për shërbimet shëndetësore.

Sipas hetimeve të deritanishme, Xhemajli Bislimaj dyshohet se ka përvetësuar 1,250 euro, ndërsa Besnik Ramadani dyshohet se ka përvetësuar 1,032 euro.

Në total, shuma e dyshuar e përvetësuar arrin në 2,282 euro.

Të dyshuarit ishin arrestuar më 3 gusht dhe fillimisht iu ishte caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Me vendimin e fundit të Gjykatës, ndaj tyre është caktuar arresti shtëpiak deri më 3 shtator 2026. Ata nuk guxojnë të largohen nga vendbanimi pa lejen e Gjykatës, ndërsa u është ndaluar edhe kontakti me persona të caktuar.

Masa do të mbikëqyret nga Policia e Kosovës. Në rast të shkeljes së arrestit shtëpiak, ndaj tyre mund të caktohet masa e paraburgimit. /Gazeta Sinjali

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit