Inspektorati ndalon punimet në 12 vendpunishte, përfshirë Prizrenin

- Gazeta e Prizrenit

Inspektorati ndalon punimet në 12 vendpunishte, përfshirë Prizrenin

Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në 12 vendpunishte pas kontrolleve të kryera në komunat Skenderaj, Mitrovicë, Vushtrri, Prizren dhe Ferizaj.

Sipas Inspektoratit, gjatë kontrolleve janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

“Për këtë arsye, IQP ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të punimeve në 12 vendpunishte, deri në eliminimin e të gjitha parregullsive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë”, thuhet në njoftim.

Inspektorati ka bërë të ditur se rifillimi i punimeve do të lejohet vetëm pasi inspektorët të konstatojnë se janë përmbushur të gjitha kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë.

Sipas IQP-së, masat synojnë parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe garantimin e sigurisë së punëtorëve.

Inspektorati Qendror i Punës ka paralajmëruar se do të vazhdojë kontrollet intensive në të gjithë territorin e Kosovës dhe se nuk do të tolerojë shkelje që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e punëtorëve.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit