Një ngjarje tragjike ndodhi në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku Jetlira Foniqi Bytyqi humbi jetën si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit, ndërsa bashkëshorti i saj, Egzon Bytyqi, mbeti i plagosur rëndë.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se personi që po trajtohet si i dyshuar në këtë rast është Egzon Bytyqi.
Sinjali mëson se arma që dyshohet se është përdorur në këtë rast i përket babait të të dyshuarit.
Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se, sipas të dhënave fillestare, Jetlira Foniqi Bytyqi, bashkëshortja e të dyshuarit, ka ndërruar jetë në QKUK si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Ndërkaq, Egzon Bytyqi, i cili është personi i dyshuar në këtë rast, ka pësuar po ashtu plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
Sipas njoftimit të QKUK-së, gjendja e tij shëndetësore vazhdon të jetë e rëndë dhe kritike për jetën.
Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të tij trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për kryerjen e autopsisë.
Prokuroria ka bërë të ditur se rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas të dhënave të rastit të siguruara nga Sinjali, Egzon Bytyqi kishte rreth katër vite që jetonte dhe punonte në Gjermani, ndërsa në Kosovë ishte kthyer vetëm rreth një muaj para tragjedisë.
Familjarët kanë deklaruar para autoriteteve se gjatë kohës së fundit ai kishte pasur probleme të shëndetit mendor në Gjermani. Këto janë deklarime të familjarëve të evidentuara në informacionet fillestare të rastit dhe jo konstatime mjekësore të verifikuara.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.