Banorët e fshatit Zhur të Prizrenit kanë ngritur shqetësimin për mungesën dhe reduktimet e shpeshta të ujit të pijshëm, veçanërisht gjatë ditëve të fundit me temperatura të larta.
Një grup banorësh kanë thënë se, pavarësisht se i paguajnë rregullisht faturat e ujit, furnizimi shpesh ndërpritet pa një njoftim të qartë për arsyet dhe kohëzgjatjen e reduktimeve.
Sipas tyre, situata është veçanërisht shqetësuese gjatë temperaturave mbi 35 gradë Celsius, kur uji i pijshëm konsiderohet nevojë bazë për familjet.
Ata kërkojnë nga institucionet dhe ndërmarrja përgjegjëse një sqarim zyrtar për arsyet e reduktimeve, publikimin e një orari të furnizimit nëse ndërprerjet janë të pashmangshme, si dhe masa për sigurimin e furnizimit të rregullt.
Po ashtu, banorët kërkojnë transparencë lidhur me menaxhimin e investimit në sistemin e ujësjellësit dhe komunikim më të mirë me qytetarët.