Nis aksioni për kontrollin e peshës së bukës dhe peshoreve në furra – gjoba deri në 10 mijë euro

- Gazeta e Prizrenit

Nis aksioni për kontrollin e peshës së bukës dhe peshoreve në furra – gjoba deri në 10 mijë euro

Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, kanë nisur aksionin për mbikëqyrjen e peshës së bukës dhe kontrollimin e vlefshmërisë së peshoreve në furrat e Kosovës.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, inspektimet kanë filluar në rajonin e Prishtinës dhe gjatë ditëve në vijim do të vazhdojnë edhe në komunat e tjera.

Aksioni vjen pas ankesave të konsumatorëve për dallime të mundshme ndërmjet peshës së deklaruar të bukës dhe peshës reale të produktit të blerë.

“Mospërputhja e masës së produktit të promovuar me masën reale të produktit të shitur konsiderohet mashtrim ndaj konsumatorit”, thuhet në njoftim, duke iu referuar Ligjit Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Për këtë shkelje, bizneset mund të gjobiten nga 1,000 deri në 10,000 euro.

Gjatë aksionit po kontrollohen gjithashtu afati i vlefshmërisë dhe rregullsia e peshoreve, si dhe nëse operatorët ekonomikë posedojnë pëlqimin për kushtet minimale teknike. Për përdorimin e mjeteve matëse të parregullta, subjektet juridike mund të gjobiten nga 500 deri në 1,500 euro.

AMK dhe IQMT u kanë bërë thirrje furrtarëve që “të sigurojnë matjen e saktë të produkteve dhe të respektojnë të gjitha kërkesat ligjore për mbrojtjen e konsumatorëve”./Nacionale.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit