Ky është 81-vjeçari i dyshuar për vrasjen e gruas së tij në Prizren – viktima kishte lëndime në trup, çifti ishte vetëm në shtëpi

- Gazeta e Prizrenit

Ky është 81-vjeçari i dyshuar për vrasjen e gruas së tij në Prizren – viktima kishte lëndime në trup, çifti ishte vetëm në shtëpi
Siç ka raportuar Gazeta e Prizrenit, sot mjë ngjarje e rëndë ka tronditur Prizrenin
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një grua 80-vjeçare është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj, ndërsa hetimet e para kanë ngritur dyshime se ajo mund të ketë humbur jetën si pasojë e dhunës fizike.
Policia njoftoi se për vrasjen e saj si i dyshuar është arrestuar bashkëshorti 81-vjeçar.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se i dyshuari është Bardhi Dushi, rreth 81-vjeçar, ndërsa viktima është bashkëshortja e tij, L.D, rreth 80-vjeçare.

Rasti është raportuar rreth orës 01:30 në rrugën “Rifat Ukimeri” në Prizren, pasi Policia është njoftuar se në një shtëpi ndodhej një grua pa shenja jete.

Patrulla policore dhe ekipi i Urgjencës kanë dalë në vendngjarje, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e 80-vjeçares.

Në shtëpi është hasur edhe bashkëshorti i saj, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor.

Ajo që fillimisht kërkonte sqarimin e shkakut të vdekjes, pas ekzaminimeve të para ka marrë një drejtim shumë më serioz.

Në vendngjarje kanë dalë ekipet hetimore, kriminalistika, hetuesit e vdekjes nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Prokurori i Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjatë ekzaminimit të jashtëm të trupit dhe procedimit të vendngjarjes janë konstatuar rrethana dhe lëndime që kanë ngritur dyshimin e bazuar se vdekja e L.D ishte e dhunshme.

Dyshimet fillestare janë se lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës mund të jenë shkaktuar me forcë fizike, përkatësisht me duar.

Deri në këtë fazë të hetimeve, sipas të dhënave të rastit, nuk ka dëshmi se është përdorur armë apo ndonjë mjet tjetër.


Një detaj tjetër me rëndësi për hetimin është se, në kohën kur dyshohet se ka ndodhur ngjarja, Bardhi dhe L.D ndodheshin vetëm në shtëpi.

81-vjeçari është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në praninë e avokatit mbrojtës, ndërsa pas intervistimit Prokuroria Themelore ka marrë vendim që ai të ndalohet për 48 orë.

Nga verifikimet në evidencat policore ka rezultuar gjithashtu se çifti nuk kishte raste të mëhershme të dhunës në familje të raportuara në Polici.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku do t’i nënshtrohet obduksionit. Ekspertiza mjekoligjore pritet të përcaktojë shkakun dhe mënyrën e saktë të vdekjes, si dhe rrethana të tjera relevante për hetimin.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar “Vrasje e rëndë”.

Motivi mbetet ende i panjohur, ndërsa hetuesit po punojnë për të rindërtuar atë që ndodhi brenda shtëpisë së çiftit gjatë natës dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e vdekjes së 80-vjeçares.

Bardhi Dushi, në këtë fazë, mbetet person i dyshuar dhe prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit