Gjonaj-Has: Hyri me gruan në market, ia thyen xhamin e veturës, viktima: M’u vodhën stoli ari, para e dokumente

- Gazeta e Prizrenit

Gjonaj-Has: Hyri me gruan në market, ia thyen xhamin e veturës, viktima: M’u vodhën stoli ari, para e dokumente

Një mërgimtar ka rrëfyer për Sinjalin se i është thyer xhami i veturës dhe se nga automjeti i janë vjedhur stoli ari, para të gatshme, telefon dhe një çantë me dokumente, me një dëm të vlerësuar rreth 10 mijë euro.

Sipas tij, rasti ka ndodhur të martën, rreth orës 16:30, në afërsi të marketit “My Market” në Gjonaj të Hasit.

Sipas ankuesit, ai kishte shkuar në market së bashku me gruan e tij, ndërsa veturën, një Audi A5 të bardhë me targa të Sllovenisë, e kishte lënë të parkuar.

Në pamjet e kamerave të sigurisë, sipas sinjalizimit, shihet një person duke iu afruar veturës dhe duke thyer xhamin në anën e pasagjerit. Në veturën e personave të dyshuar, ndërkohë, shihet edhe një person tjetër.

Pas thyerjes së xhamit, nga vetura janë marrë stoli ari, para të gatshme, një telefon dhe një çantë me dokumente personale.


Ankuesi ka deklaruar se vlera e dëmit nga vjedhja arrin në rreth 10 mijë euro. Mes tjerash viktima tha se ka njoftuar policinë për rastin.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit