Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se shtëpia ku ndodhi vjedhja është pronë e A.Q, 23-vjeçar.
Sipas informacioneve të para, vjedhja dyshohet se është kryer në intervalin kohor nga ora 21:00 e 28 gushtit deri rreth orës 01:00 të 29 gushtit, kur edhe është vërejtur se çfarë kishte ndodhur.
Në atë periudhë në shtëpi nuk ndodhej asnjë nga familjarët.
Personi i dyshuar dyshohet se ka hyrë me forcë brenda dhe më pas ka demoluar pjesë të shtëpisë duke kërkuar gjësende me vlerë.
Gjatë kontrollimit të ambienteve, ai ka arritur të gjejë dhe të marrë stoli ari, vlera e të cilave sipas pronarit arrin në rreth 20 mijë euro.
Dëmi mund të jetë edhe më i madh, pasi në këtë fazë ende nuk është konfirmuar nëse nga shtëpia janë vjedhur edhe gjësende të tjera.
Rasti është raportuar në Polici rreth orës 01:05.
Në vendngjarje kanë dalë hetuesit policorë dhe Krim-Teknika, të cilët kanë ekzaminuar shtëpinë dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për sigurimin e provave që mund të çojnë në identifikimin e autorit.
Është njoftuar edhe Prokurori kujdestar, me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti për “Vjedhje të rëndë”.
I dyshuari mbetet ende i paidentifikuar, ndërsa rasti po hetohet.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata