Kurti për Triumf Rizën: Emri i tij, pjesë e historisë së Policisë së Kosovës

- Gazeta e Prizrenit

Kurti për Triumf Rizën: Emri i tij, pjesë e historisë së Policisë së Kosovës

Në 19-vjetorin e rënies në krye të detyrës, në vendin ku u vra është zbuluar lapidari përkujtimor në nderim të Heroit të Kosovës, Triumf Riza.

Në ceremoninë përkujtimore, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se Riza u dallua për aftësitë e tij profesionale që nga dita kur nisi Akademinë Policore në Vushtrri e deri në ditën kur ra në krye të detyrës.

Sipas Kurtit, Triumf Riza ishte shembull i një zyrtari policor të përkushtuar, i cili nuk u tërhoq përballë grupeve kriminale dhe rrezikut që ato paraqisnin për shoqërinë.

Kurti tha se përkushtimi dhe profesionalizmi i Rizës do të mbeten pjesë e kujtesës institucionale dhe historisë së Kosovës.

“Emri i Triumf Rizës do të jetë pjesë e historisë së Kosovës”, tha Kurti.

Ai theksoi se Riza e shihte uniformën policore si përgjegjësi për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të mbrojtur rendin dhe ligjshmërinë, ndërsa vlerësoi se misioni i tij vazhdoi përmes gjeneratave të Policisë së Kosovës.

Kurti kërkoi gjithashtu që drejtësia për vrasjen e Rizës të jetë e plotë dhe përgjegjësia të shkojë te të gjithë personat që kanë pasur rol në këtë rast.

“Sot, në 19-vjetorin e vrasjes së zyrtarit policor Triumf Riza, përkulemi me respekt para jetës dhe sakrificës së tij. Emri i tij mbetet pjesë e historisë së Policisë së Kosovës, ndërsa kujtimi për të vazhdon të jetojë tek kolegët, miqtë dhe familja e tij, por edhe tek secili zyrtar i shtetit tonë”, shtoi Kurti.

Ai tha se përkushtimi dhe guximi me të cilin Triumf Riza shërbeu duhet të mbeten frymëzim për gjeneratat e reja të Policisë së Kosovës.

“Përkushtimi dhe guximi me të cilin ai shërbeu le të mbeten frymëzim për gjeneratat e reja të Policisë së Kosovës, për kujtesë të përhershme të sakrificës së atyre që dhanë më të shtrenjtën në shërbim të vendit dhe të qytetarëve”, tha Kurti.

Lapidari u zbulua në vendin ku Triumf Riza humbi jetën në krye të detyrës, si simbol i kujtimit dhe nderimit për shërbimin e tij në Policinë e Kosovës.

“I përhershëm qoftë kujtimi për Triumf Rizën! Lavdi të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që ranë në krye të detyrës!”, përfundoi Kurti.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit