Një intervenim i Policisë për shkak të muzikës me zë të lartë në një aheng familjar në lagjen “Lakuriqi” të Prizrenit ka përfunduar me arrestimin e tre personave dhe lëndimin e dy zyrtarëve policorë.
Rasti dyshohet se ka nisur rreth orës 00:30, kur Policia ka pranuar informacion për muzikë me zë të lartë që vinte nga një shtëpi ku po zhvillohej një aheng familjar.
Patrulla policore ka dalë në vendngjarje dhe ka kontaktuar pronarin e shtëpisë, duke e njoftuar për ndalimin e muzikës dhe vazhdimin e procedurave ligjore.
Sipas informacioneve të publikuara, situata më pas ka eskaluar, ndërsa zyrtarët policorë dyshohet se kanë hasur në rezistencë dhe janë sulmuar. Për menaxhimin e situatës është kërkuar asistencë, ndërsa në vendngjarje kanë arritur edhe patrulla të tjera policore.
Tre personat janë arrestuar dhe janë shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren.
Nga incidenti janë lënduar dy zyrtarë policorë, të cilët kanë marrë trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit. Sipas raportit mjekësor, lëndimet e tyre janë cilësuar si të lehta trupore.
Familjarët japin version tjetër për ngjarjen
Ndërkaq, familjarët e pjesëmarrësve në aheng i kanë thënë TV Prizrenit se festa është ndërprerë dhe se situata është përshkallëzuar pas ndërhyrjes së Policisë.
Ata pretendojnë se Policia ka ardhur në aheng me një numër të madh të zyrtarëve dhe se, sipas tyre, situata është provokuar nga mënyra e ndërhyrjes së Policisë.
Familjarët janë shprehur të pakënaqur për ndërprerjen e ahengut, duke dhënë kështu një version të ndryshëm nga ai i raportimeve lidhur me sulmin ndaj zyrtarëve policorë.
Për rastin është njoftuar hetuesi kujdestar dhe, pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rasti për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Me vendim të Prokurorit, A. Q. dhe A. Q. janë ndaluar për 48 orë, ndërsa A. B. është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti vazhdon të hetohet nga organet kompetente.