Aktakuzë kundër 30 vjeçarit që e rrahu për vdekje nënën e tij në Dragash dhe më pas e mbuloi me batanije

- Gazeta e Prizrenit

Aktakuzë kundër 30 vjeçarit që e rrahu për vdekje nënën e tij në Dragash dhe më pas e mbuloi me batanije

Prorkuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë kundër F.B., për vrasje të rëndë në janar të këtij viti në Restelicë të Dragashit.

Sipas aktakuzës, “më 20 janar 2026, në fshatin Restelicë të Komunës së Dragashit, pas një fjalosjeje me nënën e tij, T.B., i pandehuri F.B., e ka sulmuar fizikisht atë, duke e goditur me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit”.

Si pasojë e lëndimeve të rënda të shkaktuara, Prokuroria thotë se “viktima ka pësuar shok traumatik dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”.

“Më pas, i pandehuri trupin e viktimës e ka vendosur në divan dhe e ka mbuluar me batanije, ndërsa trupi është zbuluar nga të afërmit, të cilët kishin shkuar në shtëpi të shqetësuar për gjendjen e saj”, thuhet në njoftim.

Prokuroria e Prizrenit tha se “nga ekzaminimi psikiatrik dhe psikologjik hospitalor në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, ka rezultuar se në momentin e kryerjes së veprës penale, aftësia e të kuptuarit dhe kontrollës së veprimeve të të pandehurit ka qenë e zvogëluar në shkallë jo esenciale”.

“Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, i pandehuri i lartcekur, për veprën penale për të cilën akuzohet, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit