Dyshime për kurdisje në ekskursionin e maturantëve në Suharekë, hoteli i “preferuar”, rezervimi paraprak dhe kriteret pa pikëzim rikthejnë skenarin e vitit të kaluar

- Gazeta e Prizrenit

Dyshime për kurdisje në ekskursionin e maturantëve në Suharekë, hoteli i “preferuar”, rezervimi paraprak dhe kriteret pa pikëzim rikthejnë skenarin e vitit të kaluar

Procedura për organizimin e ekskursionit të maturantëve të IAAP “Skënder Luarasi” në Suharekë po rikthen pothuajse të njëjtat dilema që, sipas burimeve të Front Online, ishin shfaqur edhe vitin e kaluar, kur për mënyrën e organizimit të ekskursionit kishte nisur një hetim nga organet kompetente, por që deri më tash nuk ka prodhuar një epilog publik të njohur.



Dokumenti i ri, i siguruar nga portali Front Online, nuk përmban vetëm paqartësi teknike apo kërkesa administrative të zakonshme, por një kombinim kushtesh që, të lexuara së bashku, krijojnë dyshime nëse gara është ndërtuar në atë mënyrë që mund t’i krijojë avantazh një Operatori të përgatitur paraprakisht, sidomos për faktin se në shpallje përmendet me emër një hotel privat si vendosje e preferuar, kërkohet dëshmi rezervimi para shpalljes së fituesit dhe nuk përcaktohet mënyra konkrete se si do të pikëzohen ofertat.


Portali Front Online ka siguruar shpalljen me numër protokolli 503/26, të datës 24 gusht 2026, për organizimin e ekskursionit të maturantëve në Republikën e Shqipërisë, ku në pamje të parë krijohet përshtypja e një procedure të hapur konkurruese, por analiza e përmbajtjes së dokumentit nxjerr në pah disa elemente që e bëjnë të nevojshme një kontroll më të thellë të mënyrës se si është hartuar dhe si pritet të përfundojë kjo garë.

Një prej elementeve më të ndjeshme lidhet me akomodimin e nxënësve, pasi shkolla nuk është kufizuar vetëm në përcaktimin e kategorisë së hotelit, standardit të shërbimit, kapacitetit, numrit të nxënësve në dhomë apo kushteve të ushqimit, por në dokument ka futur me emër një biznes privat konkret, duke përcaktuar se Këshilli Drejtues i Shkollës “preferon vendosjen në kompleksin Hotel Bonita – Durrës ose të ngjashme”.

Përmendja e një hoteli konkret në një procedurë konkurruese bëhet edhe më domethënëse kur lidhet me kërkesën tjetër të dokumentit, sipas së cilës operatorët duhet të paraqesin dëshmi me shkrim nga hoteli se kanë siguruar rezervimin e vendosjes së nxënësve për datat e përcaktuara nga Këshilli Drejtues i Shkollës.

Në praktikë, kjo do të thotë se një agjenci turistike duhet të hyjë në kontakt me hotelin, të sigurojë kapacitetet dhe të dokumentojë rezervimin para se të dijë nëse do të shpallet fituese, një kërkesë që mund t’i vendosë në pozitë më të favorshme operatorët që kanë marrëdhënie të mëhershme me hotelin ose që mund të kenë pasur informacion paraprak për destinacionin, datat dhe konfigurimin e ekskursionit, raporton Front Online.

Pikërisht këtu lind edhe dyshimi kryesor për kurdisje të mundshme të procedurës, jo si një fakt i provuar vetëm nga dokumenti, por si një rrethanë që kërkon verifikim serioz, sidomos nëse më vonë rezulton se operatori fitues ka siguruar rezervimin, marrëveshjen apo kapacitetet në hotel shumë përpara publikimit të shpalljes.

Rëndësia e këtij elementi shtohet edhe më shumë për shkak të mënyrës se si është përcaktuar përzgjedhja e fituesit, pasi në dokument thuhet se komisioni do të zgjedhë “ofertën më të përshtatshme”, duke marrë parasysh çmimin, hotelin, menynë, gjendjen teknike të autobusëve dhe referencat, por pa përcaktuar sa pikë bart secili prej këtyre kritereve dhe pa dhënë një formulë konkrete mbi të cilën do të bëhet krahasimi ndërmjet kompanive.

Mungesa e një sistemi të qartë pikëzimi krijon hapësirë të konsiderueshme për vlerësim subjektiv, sepse operatorët hyjnë në garë pa e ditur paraprakisht peshën reale që do t’i jepet çmimit, kategorisë së hotelit, menysë, autobusëve apo referencave, ndërsa komisioni ruan një diskrecion të gjerë në përcaktimin e ofertës që do ta konsiderojë “më të përshtatshme”.

Në procedura të tilla, pikërisht qartësia e kritereve dhe e metodologjisë së vlerësimit është ajo që e bën të kontrollueshme vendimmarrjen, ndërsa mungesa e një formule të matshme krijon mundësi që kriteret të interpretohen në mënyra të ndryshme gjatë vlerësimit, varësisht prej ofertuesit që është në garë.
Në këtë rast, kjo paqartësi ndërthuret me një element tjetër problematik, pasi dokumenti përmban edhe një mospërputhje të theksuar në data.

Shpallja mban datën 24 gusht 2026, ndërsa në dokument thuhet se ofertat do të pranohen nga 25 gushti deri më 3 shtator 2026 në ora 13:30, por në fund të të njëjtit dokument figuron se hapja e ofertave do të bëhet më 3 gusht 2026 në ora 14:00.

Dokumenti përcakton gjithashtu një afat relativisht të shkurtër për përgatitjen e ofertave, ndërkohë që operatorëve u kërkohet një volum i konsiderueshëm dokumentacioni, përfshirë licenca, dokumente të autobusëve, kontrolle teknike, sigurime, dokumentacion për shoferët, dëshmi shëndetësore, të dhëna për mjekun shoqërues, qarkullimin financiar për tri vitet e fundit, listat e punëtorëve të deklaruar në ATK, marrëveshjen me hotelin dhe dëshminë për rezervimin e kapaciteteve.
Për më tepër, dokumentet kërkohet të jenë origjinale ose kopje të vërtetuara, çka e bën edhe më të rëndësishme verifikimin nëse të gjithë operatorët e interesuar kanë pasur në dispozicion të njëjtën kohë dhe të njëjtin informacion për ta përgatitur ofertën në kushte të barabarta.

Rasti merr një dimension edhe më serioz për shkak të asaj që kishte ndodhur një vit më parë.
Sipas burimeve të Front Online, edhe procedura e kaluar e ekskursionit ishte përcjellë me dyshime dhe për çështjen kishte nisur një hetim, ndërsa deri më tash nuk është bërë publik ndonjë përfundim që do të tregonte nëse dyshimet ishin hedhur poshtë, nëse ishin konstatuar parregullsi apo nëse rasti vazhdon ende të jetë në trajtim.
Fakti që, një vit më vonë, në një procedurë të re shfaqen sërish elemente që lidhen me orientimin e hotelit, rezervimin paraprak, kriteret e paqarta të vlerësimit dhe afate që kërkojnë sqarim, krijon një bazë të mjaftueshme që institucionet përgjegjëse ta bëjnë publike të gjithë dokumentacionin dhe ta arsyetojnë mënyrën se si është projektuar gara.

Portali Front Online ka dërguar pyetje në drejtorinë e shkollës dhe në komunën e Suharekës, por deri në momentin e publikimit nuk ka arritur të marrë përgjigjie nga asnjëra palë.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit