Prokuroria Themelore në Prizren i është drejtuar Gjykatës me kërkesë për bllokimin e parave në llogaritë e individëve dhe bizneseve të përfshira në hetimin për keqpërdorimet në Byronë Kosovare të Sigurimit. Në listën e gjashtë bankave janë rreth 100 mijë euro, përfshirë mbi 70 mijë euro në një llogari të lidhur me një biznes, ndërsa kërkesa përfshin edhe llogari të tjera personale e biznesore.
Insajderi ka siguruar dokumentin që tregon saktësisht sa para kërkon prokuroria të mbajë të bllokuara dhe kujt i përkasin ato.
Afera brenda Byrosë Kosovare të Sigurimit, e cila fillimisht shpërtheu me akuza ndaj ish-zyrtarëve të lartë për keqpërdorim besimi e mashtrim, ka marrë një kthesë të re në aspektin financiar.
Më 4 shtator 2026, Prokuroria Themelore në Prizren – institucioni që përfundimisht po e heton këtë lëndë komplekse pas dështimit të prokurorive në Prishtinë – i është drejtuar Gjykatës me një kërkesë emergjente prej dhjetë faqesh.
Kërkesa, e nënshkruar nga Prokurori i Shtetit Labinot Jetishi, kërkon lëshimin e një Urdhri Ndalues Përfundimtar për bllokimin e xhirollogarive bankare të personave fizikë dhe juridikë/bizneseve të përfshirë në skemë.
Transaksione pa mbulesë: Rrjedha e parave nga BKS te të dyshuarit
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga Insajderi, skema është ndërtuar rreth miratimeve të jashtëligjshme financiare brenda institucionit.
Prokuroria pretendon se Sami Mazreku, ish-Drejtor Ekzekutiv në BKS, dhe Valon Berisha, ish-Drejtor i Departamentit të Financave dhe Kontabilitetit, kanë lejuar në vazhdimësi transferta parash drejt llogarive të personave të tjerë të dyshuar.
Këto transaksione, sipas organit të akuzës, kanë vazhduar për një kohë të pacaktuar deri në fund të dhjetorit 2023. E përbashkëta e tyre: janë kryer “pa mbulesë dokumentacioni”, “jashtë kushteve dhe rregullave të procedurës së brendshme të BKS-së”, dhe dyshohet se paratë kanë përfunduar direkt në llogaritë private të një rrjeti të gjerë bashkëpunëtorësh.
Sipas dokumentit, urdhri u është drejtuar gjashtë bankave kryesore operuese në Kosovë: NLB Banka, Banka Ekonomike, ProCredit Bank, TEB Banka, Banka për Biznes (BPB) dhe Banka Kombëtare Tregtare (BKT).
Paratë e futura në listën e ngrirjes arrijnë vlerën e rreth 100 mijë eurove në total, të shpërndara në llogari të ndryshme biznesore e personale.
Më e goditura në këtë listë është kompania, “Sharr Travel”. Në bazë të urdhrit të prokurorit, bankës ProCredit i është kërkuar që t’i ngrijë shumën prej 70,844.00 eurosh llogarisë së subjektit “Blue Travel Kosova”, të lidhur me pronarin Fehmi Kurtishaj (dhe bashkautorizuesin Ruzhdi Kurtishaj). Llogaria në fjalë kishte një bilanc total prej rreth 86 mijë eurosh, ndërsa prokuroria kërkon bllokimin strikt të kësaj shume të specifikuar.
Biznesi i dytë i prekur është “PEREGRIN Accounting Consulting LLC”, kompani kjo me të cilën figuron i autorizuar i dyshuari Valon Berisha (ish-Drejtor i Financave në BKS). TEB Bankës i është urdhëruar të bllokojë plotësisht bilancin e kësaj kompanie në vlerë prej 5,366.56 euro.
Pjesa tjetër e urdhrit prek dhjetëra llogari personale, kryesisht llogari rrjedhëse ose të autorizuara:
Faik Sylejmani: Ngrirje prej 5,000.00 € në ProCredit Bank (nga bilanci 6,382.04 €).
Meriton Berisha: Ngrirje prej 3,500.00 € në TEB Bank, ndonëse në llogari kishte mbi 30 mijë euro.
Arta Kastrati Batalli: Ngrirje prej 3,537.38 € në NLB Banka, e autorizuar te një palë e tretë.
Liridon Makolli “Doni”: Ngrirje prej 3,372.51 € në Bankën Ekonomike.
Edona Ahmeti: Ngrirje prej 2,847.90 € në Bankën Ekonomike.
Lindita Cakaj: Ngrirje prej 1,620.97 € në TEB Bank, llogari kursimesh.
Samire Preniqi Hoti: Ngrirje prej 1,601.44 € në NLB Banka.
Valmir Rexha: Ngrirje prej 1,410.23 € në TEB Bank.
Rrezarta Tafilaj: Ngrirje prej 1,208.43 € në Bankën Ekonomike.
Prokuroria ka paralajmëruar bankat që, për asnjë arsye, të mos i “debllokojnë” këto shuma specifike derisa gjykata të marrë vendimin përfundimtar mbi thelbin e aktakuzës.
Shtegtimi i lëndës- nga PSRK-ja, te Prishtina e te Prizreni me 69 të dyshuar
Një detaj i rëndësishëm që del në pah nga kërkesa e shtatorit 2026 është “ping-pongu” i theksuar institucional që i ka përcjellë këto hetime. Siç dokumentohet, institucionet më të larta të drejtësisë patën vështirësi të përcaktojnë se kush duhej ta ndiqte zhvatjen e Byrosë Kosovare të Sigurimit.
Historia filloi më 20 mars 2025. Të përfaqësuar nga dy avokatë, drejtuesit e rinj të BKS-së e dorëzuan kallëzimin penal drejtpërdrejt në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).
Vetëm një ditë më vonë, më 21 mars, Specialja u deklarua se rasti “nuk bie në kompetencën” e tyre dhe e njoftoi Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Zyra e Kryeprokurorit, më 24 mars, lëndën ia delegoi Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Por dështimi në kryeqytet u vulos më 27 mars, kur Prokuroria e Prishtinës e ktheu lëndën mbrapsht duke u thirrur në një “konflikt interesi”.
Si zgjidhje përfundimtare, më 28 mars 2025, Kryeprokurori i Shtetit e dërgoi dosjen në Prizren. Sot, një vit e gjysmë më vonë, janë prokurorët në Prizren ata që, në bashkëpunim me Departamentin për Krimet Ekonomike në Prishtinë, po udhëheqin rastin dhe bllokimin e xhirollogarive dhe zgjerimin e skemës së të dyshuarve, e cila tashmë po ka goditur individë e biznese dhe numri i të dyshuarve ka arritur në 69. /Gazeta Insajderi