Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e së mërkurës në fshatin Vlashnje të Prizrenit, ku si pasojë e një zjarri janë përfshirë dhe dëmtuar pesë automjete.
Njoftimi për incidentin ka mbërritur në polici rreth orës 13:00. Lajmin e ka konfirmuar për portalin Gazeta e Prizrenit, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin, Shaqir Bytyqi.
Posa kanë marrë informatën, në vendin e ngjarjes kanë dalë me urgjencë njësitet policore dhe ekipet e zjarrfikësve, të cilët kanë bërë të mundur lokalizimin dhe fikjen e plotë të flakëve. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë, dëmet materiale janë të konsiderueshme, pasi pesë vetura janë dëmtuar nga zjarri.
Rasti ka marrë epilog ligjor, pasi policia ka arritur të identifikojë personin e dyshuar për shkaktimin e zjarrit. Në konsultim me prokurorin kujdestar, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet po vazhdojnë.