Ngritet aktakuzë ndaj kryeshefit të “Eko Regjionit” dhe dy personave për mashtrim me tender

- Gazeta e Prizrenit

Ngritet aktakuzë ndaj kryeshefit të “Eko Regjionit” dhe dy personave për mashtrim me tender

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Burim Shalës, kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes publike lokale në Komunën e Ferizajt, “Eko Regjioni”, Arbër Gashit, menaxher i Njësisë së ndërmarrjes dhe Ragip Zejnës, pronarit të kompanisë së “Dielli Construction”.

Në njoftimin e prokurorisë, bëhet e ditur se sipas aktakuzës, më 07.06.2023, si dhe gjatë periudhës nga 18.09.2023 deri më 16.11.2023 në Prizren, B.Sh., në cilësinë e kryeshefit të KRM “Eko Regjioni”, në bashkëkryerje me zyrtarin e kësaj kompanie A.G., kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfimit të dobisë pasurore për veten e tyre dhe për personin juridik Dielli Construction & Equipment SHPK, shkruan Insajderi.

“A.G dhe B.Sh., akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, pasi sipas aktakuzës, kanë krijuar mundësi në kundërshtim me legjilsacionin për prokurimin publik, që tenderin ”Furnizimi me kamiona kompaktor dhe autobusë për nevojat e KRM “Ekoregjionit” në vlerë prej 385,500.00 ta përfitojë subjektit juridik SH.P.K “D.C & E””, thuhet në njoftim.

Sipas aktakuzës, i është shkaktuar dëm buxhetit të KRM “Ekoregjioni” në shumën prej 233,685.37 eurosh.

Ndërkaq biznesmeni ferizajas Zejna akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”, pasi sipas aktakuzës u ka paguar shpenzimet e një udhëtimi jashtë territorit të Kosovës, B.Sh dhe A.G., me qëllim të koordinimit të veprimeve inkriminuese dhe ndikimit për dhënien e tenderit.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit