LVV mbështet marshin e 12 shtatorit, por kërkon të marshojnë edhe kundër themeluesve të Speciales

- Gazeta e Prizrenit

LVV mbështet marshin e 12 shtatorit, por kërkon të marshojnë edhe kundër themeluesve të Speciales

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur mbështetje për marshin e paralajmëruar për të shtunën, më 12 shtator, por ka kërkuar që në këtë protestë të marshojnë edhe kundër atyre që e themeluan Gjykatën Speciale, si dhe për lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën e luftës së Kosovës.

Në një komunikatë për media, LVV-ja ka kërkuar që ata që votuan për themelimin e Gjykatës Speciale të distancohen nga vota e tyre dhe ta pranojnë atë që subjekti e konsideron gabim.

“Ata që e votuan Gjykatën Speciale duhet të distancohen nga vota e tyre, ta pranojnë gabimin dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës dhe kombit tonë, luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”.

 

LVV-ja ka bërë thirrje që marshimi i 12 shtatorit të ketë edhe këtë mesazh.

“Më 12 shtator marshojmë kundër atyre që e themeluan Gjykatën Speciale dhe për lirinë, drejtësinë, të vërtetën e luftës sonë çlirimtare”.

Sipas LVV-së, themelimi i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës ka qenë “dëmi më i madh” që i është bërë historisë së luftës çlirimtare dhe themeleve të shtetit të Kosovës.

“Gjykata Speciale e ka padrejtësinë në themelin e saj. Me krijimin e saj, Kosova pranoi një rend të jashtëzakonshëm gjyqësor, me fushëveprim të drejtuar ndaj pjesëtarëve të UÇK-së. Parimi i barazisë para ligjit u flijua dhe njëra palë e luftës u veçua për ndjekje”.

LVV-ja ka kritikuar gjithashtu faktin se, sipas saj, jashtë këtij procesi gjyqësor ka mbetur Serbia dhe përgjegjësit e saj për krimet e kryera gjatë luftës.

“Jashtë këtij gjykimi mbeti shteti serb, me drejtuesit politikë, ushtrinë, policinë, burgjet, varrezat masive dhe gjithë makinerinë që kreu gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Kosovë”.

Ky subjekt politik e ka quajtur zanafillën e kësaj gjykate “politike” dhe “antishqiptare”.

Sipas LVV-së, nisma për krijimin e Gjykatës Speciale lidhet me zhvillime në Këshillin e Evropës dhe raportin e Dick Martyt.


“Më 15 prill 2008, deputeti rus Konstantin Kosaçev dhe deputeti serb Millosh Aligrudiq u vunë në krye të nismës në Këshillin e Evropës, prej së cilës doli raporti i Dick Martyt. Pretendimi për trafikim organesh e vuri në lëvizje gjithë mekanizmin, megjithëse sot mungon në aktakuzën ndaj drejtuesve të UÇK-së. Akuza e bujshme atëbotë e kreu qëllimin e saj politik dhe e vendosi luftën çlirimtare nën dyshim, duke hapur rrugën për krijimin e një gjykate të posaçme”.

LVV-ja ka thënë se frika nga Rusia ishte përdorur si argument për miratimin e themelimit të gjykatës nga vetë institucionet e Kosovës.

“Qytetarëve, por veçanërisht deputetëve të Kosovës, iu tha se, po të mos e miratonte Kosova themelimin e gjykatës, Rusia do ta ngrinte gjykatën në Këshillin e Sigurimit. Rusia nuk mund ta merrte e vetme një vendim të tillë. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca kishin mundësi ta pengonin”.

Sipas LVV-së, pasojat e krijimit të kësaj gjykate janë të thella dhe kanë prekur edhe funksionimin kushtetues të Kosovës.

“Kushtetuta u ndryshua nën trysni. Sovraniteti i Kosovës shërbeu si mbulesë juridike për një gjykatë të vendosur dhe të drejtuar jashtë vendit. Paraburgimi shumëvjeçar është kthyer në dënim para aktgjykimit. Të akuzuarit mbahen larg familjeve dhe atdheut, ndërsa prezumimi i pafajësisë po zbrazet çdo ditë nga kuptimi. Të gjitha këto janë ditur dhe paralajmëruar me kohë, pra që para 12 vitesh”.

LVV-ja ka ngritur kritika edhe për ndikimin që, sipas saj, Gjykata Speciale ka pasur në mënyrën se si trajtohet historia e luftës së Kosovës.

“Drejtuesit e qëndresës, pra Shtabi i UÇK-së, është vendosur në bankën e të akuzuarve, ndërsa shteti që kreu masakrat, dëbimet dhe zhdukjet me dhunë vazhdon t’i mohojë krimet, t’i lartësojë kriminelët dhe t’i strehojë të kërkuarit. Drejtësia e veçantë për çlirimtarin dhe pandëshkueshmëria për pushtuesin e shtrembërojnë historinë dhe e thellojnë padrejtësinë”.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është pyetur gjatë ditës nëse do të marrë pjesë në marshin e thirrur për ish-krerët e UÇK-së, por ka refuzuar të përgjigjet.

Marshi është paralajmëruar për të shtunën, më 12 shtator.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit