Tmerr para shtëpisë në Rahovec: Dy persona me maska dhe pistoletë sulmojnë një grua, ia marrin 5 mijë euro

- Gazeta e Prizrenit

Tmerr para shtëpisë në Rahovec: Dy persona me maska dhe pistoletë sulmojnë një grua, ia marrin 5 mijë euro

Një grua në Rahovec është përballur mbrëmë me momente tmerri, pasi dy persona të maskuar dhe të armatosur dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht pranë shtëpisë së saj dhe, nën kërcënimin e pistoletës, ia kanë grabitur çantën me mijëra euro.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur rreth orës 23:25, në rrugën “Luftëtari”, në Lagjen e Epërme të Rahovecit.

Sipas informacioneve të para, viktima ndodhej pranë shtëpisë së saj kur është përballur me dy persona të maskuar. Ata dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht, ndërsa njëri prej tyre ishte i armatosur me pistoletë.

Nën kërcënimin e armës, të dyshuarit ia kanë marrë çantën e dorës, brenda së cilës gruaja ka deklaruar se kishte rreth 5 mijë euro.

Pas grabitjes, dy personat janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa viktima ka marrë trajtim mjekësor nga ekipi i autoambulancës në vendngjarje.


Rasti ka vënë në lëvizje njësitë e Stacionit Policor në Rahovec dhe hetuesit rajonalë, të cilët kanë nisur veprimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.

Për rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti për veprën penale “Grabitje”.

Të dyshuarit mbeten ende të paidentifikuar, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit