Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetic, ka bërë të ditur se mbrojtja do ta apelojë aktgjykimin e Trupit Gjykues, duke pretenduar se në të janë bërë gabime të rëndësishme ligjore, faktike dhe procedurale.
Sipas tij, këto ndërhyrje kanë krijuar përshtypjen e mungesës së paanshmërisë.
“Mbrojtja mban qëndrimin se ndërhyrjet gjyqësore e kanë tejkaluar kufirin e kërkimit neutral të së vërtetës, duke cenuar përshtypjen e paanshmërisë që kërkohet sipas standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Kjo mungesë paanshmërie tashmë përshkon edhe aktgjykimin e Trupit Gjykues”, ka deklaruar Misetic.
Ai ka ngritur pretendime edhe lidhur me përfshirjen e Thaçit në rastin e vrasjes së Behajdin Allaqit. Sipas Misetic, Trupi Gjykues e ka përmendur publikisht këtë rast, ndërkohë që më herët kishte urdhëruar palët të mos e diskutonin atë në seanca publike dhe kishte vendosur që provat përkatëse të mbaheshin konfidenciale.
“Trupi Gjykues e ka shpallur publikisht z. Thaçi fajtor për një vrasje, ndërkohë që provat mbi të cilat është bazuar ky përfundim i janë mbajtur të fshehura shqyrtimit publik”, ka thënë ai.
Misetic ka deklaruar se mbrojtja konsideron se gjetjet për fajësinë e Thaçit përtej dyshimit të arsyeshëm janë mbështetur në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara.
Ai ka theksuar se Thaçi e mohon çdo përfshirje në vrasjen e Allaqit dhe se, sipas tij, ish-presidenti do ta mirëpriste shqyrtimin publik të provave mbi të cilat është bazuar ky konstatim.
“Mbrojtja do t’i apelojë vendimet e Trupit Gjykues për shkelje të të drejtave të tij themelore për një gjykim të drejtë, të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetuta e Kosovës”, ka shtuar Misetic.
Sipas tij, njoftimi zyrtar për apel do të dorëzohet pranë Panelit të Apelit, me synimin për të kundërshtuar ato që mbrojtja i konsideron si gabime faktike, ligjore dhe procedurale.