Prizren: Kanos gruan dhe fëmijën me thikë, arrestohet i dyshuari – gjatë bastisjes gjenden narkotikë dhe para

- Gazeta e Prizrenit

Prizren: Kanos gruan dhe fëmijën me thikë, arrestohet i dyshuari – gjatë bastisjes gjenden narkotikë dhe para

Një person është arrestuar në Prizren, pasi dyshohet se nën kërcënimin e thikës ka kanosur dhe rrezikuar një grua dhe fëmijën e saj.

Rasti ka ndodhur më 17 shtator, rreth orës 22:11, në lagjen “Adnan Krasniqi”, raporton Gazeta e Prizrenit

Sipas Policisë, ankesa për rastin është pranuar përmes aplikacionit mobil, pas së cilës njësitë policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë arrestuar personin e dyshuar.

Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me Njësinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren, është realizuar edhe bastisja e banesës së të dyshuarit.

Gjatë bastisjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të substancës së dyshuar narkotike, si dhe një shumë parash të gatshme.

Për rastin e kanosjes, pas intervistimit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë. Hetimet për këtë rast po zhvillohen nga Stacioni Policor në Prizren.

Ndërkaq, rasti që lidhet me substancat narkotike po hetohet nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.

Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, ka bërë të ditur se po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të ndriçuar plotësisht rrethanat e rastit.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit