Kurti në New York kërkon bazë të përhershme amerikane në Bondsteel dhe hapjen e arkivave nga Serbia

- Gazeta e Prizrenit

Kurti në New York kërkon bazë të përhershme amerikane në Bondsteel dhe hapjen e arkivave nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim në New York me kongresistin amerikan George Latimer, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për zhvillimin ekonomik, sigurinë, forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës si dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit.

Një nga çështjet e ngritura nga Kurti ishte edhe Kampi “Bondsteel”. Ai ka ritheksuar qëndrimin që kampi të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, duke e cilësuar këtë si një masë në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në rajon.

Në takim është diskutuar edhe për personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, varrezat masive dhe nevojën për deklasifikimin e dokumentacionit dhe hapjen e arkivave nga Serbia.

Kurti ka ngritur gjithashtu çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke folur për, siç ka thënë, diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave të tyre.


Në prag të trevjetorit të sulmit në Banjskë, Kurti tha se me Latimerin kanë diskutuar edhe për Milan Radoiçiqin dhe nevojën që ai dhe personat e tjerë përgjegjës të përballen me drejtësinë në Kosovë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë i çmuar. Jemi thellësisht mirënjohës për miqësinë tonë të qëndrueshme dhe mbështetjen dypartiake që shteti ynë gëzon në Kongresin amerikan”, ka shkruar Kurti.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit