Nga 1.000 euro borxh në 8.000 euro kthim: Kërkohet paraburgim për “fajdexhinjtë” në Rahovec

- Gazeta e Prizrenit

Nga 1.000 euro borxh në 8.000 euro kthim: Kërkohet paraburgim për “fajdexhinjtë” në Rahovec

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy personave me inicialet S.S. dhe J.N., të dyshuar për veprën penale “Fajdeja”.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit, nga gushti i vitit 2026 e në vazhdimësi në Rahovec, në bashkëkryerje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kanë shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të një personi me inicialet E.A.

I dëmtuari, për shkak të vështirësive financiare, dyshohet se kishte marrë nga S.S. shumën prej 1 mijë eurosh. Sipas kërkesës së prokurorisë, fillimisht atij i ishte kërkuar që të kthente 3 mijë euro, më pas 5 mijë euro dhe në fund 8 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, i dëmtuari ishte kërcënuar se, nëse nuk i kthente paratë, duhej të dorëzonte veturën e familjes.

“Më datë 24.09.2026 ditën kur i dëmtuari E.A. takohet me të pandehurin S.S. për të ia dorëzuar paratë, konkretisht shumën prej 8,000 € (tetë mijë euro), paraqitet edhe i pandehuri J.N. i cili pasi paraprakisht ishte marrë vesh me të pandehurin S.S. i thotë të dëmtuarit se 500 € (pesë qind euro) nga borxhi i marrë ishin të tij dhe se tashmë duhej të paguante shumën prej 8,000 € (tetë mijë euro) pasi kamata ishte rritë”, thuhet në njoftim.

Gjatë realizimit të masave të veçanta hetimore, të ndërmarra në kuadër të veprimeve të koordinuara me Policinë e Kosovës, pas dorëzimit të parave, të dyshuarit janë arrestuar nga zyrtarët policorë. Sipas Prokurorisë, paratë e pranuara nga i dëmtuari janë gjetur tek të dyshuarit.

Me këto veprime, Prokuroria dyshon se S.S. dhe J.N., në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Fajdeja”.

Ndërkohë, gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit S.S., janë gjetur dhe sekuestruar edhe 9 fishekë të kalibrit 7.62×39 mm. Sipas Prokurorisë, dyshohet se ai nuk kishte leje valide për posedimin e tyre.

Për këtë rast, S.S. dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Të dyshuarit, që nga 24 shtatori 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit