Siguri e shtuar në Vjenë para ndeshjes Austri-Kosovë, policia vendos zonë të veçantë

- Gazeta e Prizrenit

Siguri e shtuar në Vjenë para ndeshjes Austri-Kosovë, policia vendos zonë të veçantë

Policia e Vjenës do të vendosë masa të shtuara sigurie të dielën, në ditën kur Austria dhe Kosova përballen në kuadër të Ligës së Kombeve.

Rreth stadiumit “Ernst Happel” do të krijohet një zonë e veçantë sigurie, e cila do të jetë aktive nga ora 10:00 deri në 22:00.

Sipas mediumit austriak 5 Minuten, kontrollet ndaj tifozëve pritet të jenë të rrepta, ndaj autoritetet kanë kërkuar që ata të planifikojnë kohë shtesë për hyrjen në stadium.

Zona e përcaktuar nga policia do të shtrihet përtej stadiumit dhe do të përfshijë Krieau, Olympiaplatz, Stadioncenter, zonën e Stadionbad dhe Hauptallee.

Brenda kësaj hapësire, policia mund të largojë persona ndaj të cilëve ka dyshime se mund të përfshihen në akte dhune, si dhe t’ua ndalojë hyrjen në zonë.

Shkelja e ndalimit të hyrjes mund të gjobitet deri në 1,000 euro. Në rast përsëritjeje, gjoba mund të shkojë deri në 4,600 euro, ndërsa nëse ajo nuk paguhet, mund të shqiptohet edhe dënim zëvendësues deri në katër javë burg.

Kontrolle do të ketë edhe në hyrje të stadiumit. Tifozët do t’u nënshtrohen kontrolleve të veshjeve dhe çantave, ndërsa refuzimi i tyre nënkupton moslejimin në stadium.

Sipas raportimit, në raste të caktuara largimi nga stadiumi mund të bëhet edhe me forcë.

Ndërkohë, personat të cilëve u refuzohet hyrja për shkak se nuk pranojnë kontrollin nuk kanë të drejtë në rimbursimin e biletës nga qeveria federale.

Ndeshja Austri-Kosovë zhvillohet të dielën, më 27 shtator, në stadiumin “Ernst Happel”, nga ora 19:00.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit