Në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim, në kuadër të Komandës së Gardës Kombëtare, ka përfunduar trajnimi i avancuar për kërkim-shpëtim.
Sipas Forcës së Sigurisë së Kosovës, trajnimi dyjavor kishte për qëllim avancimin e njohurive dhe aftësive profesionale të pjesëtarëve për operacionet e kërkim-shpëtimit në terrene të vështira.
Programi përfshiu pjesë teorike dhe praktike, me fokus në sistemet e ankorimit, boltimet, sistemet e litarëve, evakuimin e viktimave, teknikat e alpinizmit dhe procedura të tjera të specializuara.
Në përmbyllje të trajnimit u zhvillua një ushtrim 72-orësh në zonën e Rugovës, ku pjesëmarrësit zbatuan në praktikë teknikat e mësuara përmes skenarëve të simuluar të kërkim-shpëtimit.